Video+Foto/ 6,000 të evakuuar, hiri i vullkanit në Spanjë mbulon shtëpitë! Shqetësuese krijimi i gazit toksik

Imazhet e reja satelitore të vullkanit aktiv në ishullin spanjoll La Palma, kapin rrjedha të gjalla lavash që derdhen poshtë vargmaleve malore bregdetare dhe pranë Oqeanit Atlantik.

Shpërthimi filloi më 19 shtator nga çarjet në anët perëndimore të kraterit Cumbre Vieja në La Palma, i cili është një nga Ishujt Kanarie të Spanjës, i vendosur në brigjet e Afrikës veriperëndimore.

“Pasi Cumbre Vieja u ça dhe filloi të shpërthejë më 19 shtator 2021, një mur me lavë bazaltike që lëviz ngadalë filloi të përshkojë rrugën nëpër pjesët e populluara të një prej Ishujve Kanarie,” sipas një deklarate nga Observatori Tokësor i NASA-s. “Rrjedhat e lavës kanë shkatërruar gati 400 shtëpi, kanë mbuluar dhjetëra kilometra rrugë dhe kanë konsumuar tokën bujqësore në ishullin La Palma ndërsa zvarriten poshtë krahut perëndimor të ishullit vullkanik drejt oqeanit.”

Ky takim midis llavës, një shkëmbi të shkrirë në më shumë se 1.000 gradë Celsius dhe ujit të detit që është rreth 20-25 gradë Celsius, është i rrezikshëm kryesisht prej prodhimit të gazit toksik dhe grimcave të dëmshme, duke paraqitur rrezik të mëtejshëm për banorët në zonë.

Imazhet satelitore Landsat 8 ofrojnë një pamje me ngjyrë natyrale të lavës që rrjedh nëpër komunitetet El Paraiso dhe Todoque, së bashku me retë e tymit të bardhë që ngrihen nga zona. Lava e nxehtë e shkrirë që del nga shpërthimi shkëlqen me ngjyrë të kuqe në imazhet satelitore, ndërsa një kore e errët dhe e zezë shfaqet në zonat ku llava është ftohur në sipërfaqe.

Vëzhgimet satelitore nga 26 shtatori gjithashtu kapën pamje infra të kuqe të shpërthimeve vullkanike, duke zbuluar pjesët më të nxehta të lavës së kuqe të nxehtë që rrjedhin poshtë shpateve të kraterit.

Të hënën, banorëve të disa lagjeve në Tazacorte, një fshat i vendosur pranë bregdetit, iu tha të qëndronin brenda për të mbrojtur veten nga emetimet e mundshme të gazit toksik që mund të vinin si pasojë e takimit të llavës me ujin e oqeanit. Grumbullimi i hirit ka prishur gjithashtu trafikun ajror, duke shkaktuar anulimin e shtatë fluturimeve të brendshme të planifikuara të premten dhe mbylljen e aeroportit të nesërmen. Edhe pse është rihapur zyrtarisht, fluturimet mbeten të pezulluara për momentin.

Ekspertët besojnë se shpërthimi mund të zgjasë për disa javë apo edhe muaj. Dy shpërthimet e mëparshme në La Palma ndodhën në 1949 dhe 1971. Ato shkaktuan gjithsej tre vdekje, dy prej të cilave u shkaktuan nga thithja e gazit toksik.

Që kur Cumbre Vieja filloi të shpërthejë të Dielën e kaluar, rreth 6,000 njerëz janë evakuuar nga ishulli, tha qeveria e Ishujve Kanarie në një deklaratë të Premten. Rreth 160 njerëz në zonat e afërta të Tajuya, Tacande de Abajo dhe Tacande de Arriba, të vendosura afërsisht 10 milje nga vullkani, gjithashtu u evakuuan.

Dëmi i shkaktuar nga shpërthimi mund të zgjasë deri në 84 ditë, thanë të mërkurën studiuesit nga Instituti i Vullkanologjisë.

/Burimi: space.com/ Përshtati Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *