INVESTIGIM 24/ Skandali i ‘Fondit Besa’. Si i vodhën juristit paratë e pronës kolateral të kredisë (Dokumentet)

Sa keq që në “Fondin Besa” kanë menduar se nuk mund të dalin në dritë dokumente për ta dhe se mediat nuk kanë më se çfarë të shkruajnë…. Mbase kjo do të ishte e mundur po të kishte vetëm disa hallexhinj, që nga padituria apo injoranca e tyre ishin ngatërruar me punë parash.

Por në fakt janë me mijëra viktimat e “Fondit Besa” në të gjithë Shqipërinë, sa që jo vetëm dokumente që ka pa fund, por tashmë edhe emrat, rastet, metodat e vjedhjes, apo të tjetërsimit të dokumentacionit, si dhe noteret, kanë nisur që të përputhen.

Në vijimin e investigimeve mbi mashtrimin kolosal të “Fondit Besa”, që tashmë rezulton i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, njësoj si një prej kompanive piramidale të vitit 1996-’97, “Priza.al” sjell sot një tjetër histori vërtet të veçantë por dhe drithëruese.

E themi këtë të fundit pasi rasti nuk u takon disa njerëzve të vobektë, hallexhinj, të pa informuar apo pa shkollimin e duhur, por një çifti juristësh nga Tirana që i njohin mirë procedurat ligjore dhe rëndësinë e dokumentacionit.

E pra, pikërisht ky çift juristësh nga kryeqyteti, ka rënë viktimë e një supermashtrimi dhe abuzimi nga ana e punonjësve të “Fondit Besa”, sapo ata kanë shkuar të trokasin në derën e tyre për një kredi.

Menjëherë pas kësaj nis edhe peripecia pa fund e çiftit, por që për fat të keq të “Fondit Besa”, këtu letrat dhe dokumentet janë pa fund e madje ato kanë shkuar edhe në tryezat e SPAK-ut, ILDKPI-së, KLGJ-së, Prokurorisë së Tiranës, por dhe departamenteve të BSH-së, që kanë kohë që “flenë” mbi ankesat për Fondin.

Historia

Në morinë e denoncimeve dhe dëshmive që kanë nisur të vijnë nga e gjithë Shqipëria për skema të ndryshme mashtrimi, pastrimi parash, por dhe të tjera vepra penale të kryera nga “Fondi Besa” në dëm të qytetarëve, sot në “Priza.al” vjen ekskluzivisht edhe një tjetër.

Është fjala për një çift të rinjsh juristë nga Tirana, përkatësisht Fationa Male dhe Edmond Kasmi (poshtë në Foto).

No description available.

 

Të dy të rinjtë, në vitin 2017 u paraqitën në zyrën e “Fondit Besa” në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, për të aplikuar për një kredi, me qëllim investimi.

Dëshira e dy të rinjve ishte të hapnin një zyrë të përbashkët juridike dhe konsulence, duke nisur kështu një biznes që do të ishte për më tepër edhe familjar.

Aplikimin për këtë kredi e kishte bërë zj. Fationa Male, në një kohë që bashkëjetuesi i saj, Edmond Kasmi, ishte bërë dorëzanës ose garant i kësaj kredie së bashku me babanë e vajzës, Zenel Male, si dhe disa familjarë të tjerë.

No description available.

(Kontrata e kredisë hipotekore e datës 6/12/2017, për shumën 60 mijë euro pranë ‘Fondit Besa’)

Shuma e kredisë që u kërkua pranë “Fondit Besa” ishte rreth 60 mijë euro e emërtuar “kredi për investim”, dhe me gjithë përqindjet e larta, ajo u morr pikërisht aty sepse procedurat burokratike të miratimit ishin më të shpejta.

Por këtu nis edhe kthesa për dy të rinjtë, që në vend që të kishin një bashkëpunim korrekt me “Fondin Besa”, ranë pre e një skeme mashtruese me ngjashmëri të skemave mafioze.

Pasi të rinjtë paguan rregullisht në muaj e parë të vitit të parë rreth 8 – 9 këste të kësaj kredie super të shtrenjtë në përqindje interesi, patën një problem në një moment dhe vonuan pagesat, për arsye financiare. Për ta shlyer këtë, për të shmangur komisionet e larta dhe gjobat mbi vonesat, Edmondi vendos që të shesë zyrën e tij të avokatisë, që kishte si pronë në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, e vlera e të cilës ishte jo e vogël nisur edhe nga çmimet e zonës.

No description available.

(Certifikata e pronësisë së zyrës avokatore, vënë si garanci hipotekore nga Edmond Kasmi, tashmë në pronësi të Flutura Çuka, oficere e kredise pranë ‘Fondit Besa’)

Për këtë ai i kërkon “Fondit Besa” që ta marrë nën sekuestro duke e bllokuar këtë pronë si garanci për kredinë, në një kohë që me shitjen e saj paratë do të jepeshin menjëherë për të mbyllur kredinë prej 60 mijë eurosh që bashkëjetuesja e tij, Fationa, kishte marrë.

Sipas dëshmisë së Edmondit dhënë “Priza.al”, i gjithë dokumentacioni i kredisë, por edhe të gjitha procedurat e shitjes së pronës ishin bërë pranë noteres Natasha Xhaçka (poshtë në Foto), me zyrë në ish-bllok, e cila mbante për llogari të “Fondit Besa” dokumentet.

(Noterja Natasha Xhaçka)

Pas sekuestros dhe bllokimit mbi pronën që “Fondi Besa” vendosi mbi zyrën avokatore të Edmondit, vetë Fondi gjeti edhe një “blerëse” me emrin Estela Kapo, e cila u paraqit pranë noteres dhe nisi procedura e blerjes së kësaj prone e cila kishte një çmim nga vlerësimi prej 70-75 mijë euro.

Megjithatë, “Fondi Besa” dhe oficerja e kredisë së tij, Flutura Çuka (poshtë në Foto), këmbëngulin për shitjen e pronës në shumën 50 mijë euro te blerësja Estela Kapo, dhe kalimin e parave në favor të shlyerjes së kredisë së çiftit Male- Kasmi. Por këtu nisin dhe allishverishet e para, duke synuar që përsëri t’i nxirrnin të rinjtë me “këpucë të kuqe” nga kjo histori.

(Oficerja e kredisë së ‘Fondit Besa’, Flutura Çuka)

 

Loja e oficeres së kredisë Flutura Çuka

Sipas dëshmisë së vet magjistratit Edmond Kasmi, oficerja e kredisë pasi bën shitjen e zyrës avokatore në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, tek blerësja Estela Kapo, plotëson letrat tek noterja Xhaçka, dhe pastaj lejon që prona të nis të shfrytëzohet nga blerësi.

No description available.

(Kontrata e shitjes së pronës nga juristi Edmond Kasmi, te blerësja Estela Kapo prezantuar nga ‘Fondi Besa’)

Por edhe pse u firmosën nga palët letrat për shitjen e zyrës, si dhe u vulosën nga noterja që punonte për interes të “Fondit Besa”, nga ky i fundit çiftit u shkojnë sërish letra, që u bënin me dije se me gjithë shumat e paguara nga 9 këstet dhe me ato që u shtuan nga shitja e pronës së vënë në garanci, përsëri kredia nuk ishte përmbyllur.

Po pse e gjitha kjo? Sepse në fakt oficerja e kredisë Flutura Çuka, në vijim të skemave që me sa duket zbatohen si protokoll në “Fondin Besa”, kishte gjetur një blerëse të sajuar dhe as në këtë rast nuk kishte arkëtuar prej saj të gjithë shumën e parave të shitjes së pronës. Nga sa mësojmë prej dëshmisë së vet Edmondit, nga plot 50 mijë euro që duhet të merreshin për shitjen e zyrës së tij avokatore, për shlyerje kredie, punonjësja e “Fondit Besa”, Çuka, kishte raportuar se kishte marrë vetëm 36.500 euro nga blerësja.

No description available.

(Dokument-Përgjigja e Kadastrës ku vërtetohet se prona ka kaluar nga Estela Kapo tek Flutura Çuka e ‘Fondit Besa’)

Ndërkohë ajo që ishte më skandal në gjithë këtë histori, ishte fakti se letrat si te noteri ashtu dhe në zyrat e Fondit ishin kopsitur sikur çifti kishte akoma edhe rreth 20 mijë euro nga kredia për të shlyer, si dhe të gjitha shkresat ishin lënë të hapura, por pa i vënë në dijeni kredimarrësit.

Për ta mbyllur të gjithë këtë kalvar, vet babai i Fationës, Zenel Male, shkon në zyrat e “Fondit Besa”, si njëri prej 4 garantëve, dhe paguan edhe 20 mijë euro të tjera, me qëllim që e gjithë kjo histori dhe kredi të përmbyllej dhe vajza e tij të vijonte e qetë aktivitetin e saj me bashkëjetuesin Edmondin.

Por as këtu nuk u mbyll asgjë dhe “Fondi Besa” edhe sot ka vijuar me manipulimet dhe zgjatjen e procedurave dhe komisioneve që rriten çdo ditë. Por për të gjithë këtë histori do t’ju tregojmë në numrin e nesërm.

No description available.

(Dokumenti i ‘Fondit Besa’ që u bën me dije kredimarrësve se sa është shuma për t’u paguar e mbetur)

Vijon…/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *