2020-a ishte viti më sfidues për industrinë dhe eksportuesit, pas përçarjes që solli pandemia në zinxhirin e prodhimit dhe ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve. Sidomos në muajt e parë të pandemisë, që disa kompani u detyruan të mbyllnin përkohësisht aktivitetin. Aktiviteti i industrisë në total u tkurr me 7%, sipas INSTAT, nga e cila ajo përpunuese me -5.73.
“Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh i naftës bruto, shënoi rënie të të ardhurave (50%). “Kurum”, prodhuesi dhe eksportuesi i çelikut, arriti të rikuperojë në gjysmën e dytë të vitit, duke e mbyllur 2020-n, me një reduktim të lehtë prej 3.1%.
Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, shënoi rënie të fortë të të ardhurave, 40%, duke zbritur në një qarkullim vjetor prej 4.5 miliardë lekësh. Ky është viti i dytë radhazi me reduktim të fortë të aktivitetit (pas tkurrjes me 32% në 2019-n). Sipas raportit vjetor, “shoqëria ka vazhduar operimin me 2 furra (50% të kapacitetit të prodhimit) në vitin 2020.
Me shpërthimin e pandemisë, fillimisht në Kinë dhe më pas në Europë dhe në vendet e tjera të botës, si dhe masat kufizuese që ndërmorën vendet, ndikuan ndjeshëm në kërkesën dhe furnizimin e FeCr. Viti 2020 ishte një vazhdim i përkeqësimit të tregut pas një viti shumë të vështirë që kaloi industria në 2019, kur për shkak të kërkesës së ulët, çmimet e FeCr u ulën me rreth 35%, duke arritur nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit”.
Raporti thekson se gjatë vitit 2020, kompania operoi me kapacitet prodhues prej 2 furrave në operim, ose një prodhim mujor prej 3.130 tonë ferrokrom, ose rreth 37.600 tonë në vit. Ndërkohë, si pasojë e ndryshimit të kushteve në tregun ndërkombëtar, që sollën rënie të ndjeshme të çmimit të shitjes në kuotat më të ulëta të 10 viteve të fundit, Shoqëria vendosi që të reduktojë aktivitetin prodhues me 50%.
Reduktimi i aktivitetit prodhues për rrjedhojë u shoqërua me një reduktim të volumit të shitjeve në shifrën e 34.100 tonë ferrokrom dhe një prodhim prej 37.600 tonë ferrokrom gjatë 2020-s. Prodhimi i kromit arriti shifrën e 100.800 tonë gjatë 2020.
Investimet u rishikuan dhe u shtynë pas shpërthimit të pandemisë, duke u përqendruar në objektiva të tjera më të rëndësishme. Vlera totale e investimit pritet të kapë shifrën e 30.9 milionë dollarëve deri në fund të vitit 2024. Nëpërmjet këtij investimi pritet të zgjatet më tej jeta e minierës dhe të shfrytëzohen rreth 1.9 milionë tonë rezerva minerare, sipas burimeve zyrtare nga “Albchrome”.
Prodhuesi i pijeve freskuese “Coca Cola” uli të ardhurat me gati 11%, në 3.5 miliardë lekë. “Në mars të vitit 2020, qeveria e Shqipërisë mori masa drastike, duke pezulluar shumë aktivitete biznesi, përfshirë aktivitetet e klientëve përfundimtarë të Shoqërisë për një periudhë prej 2 muajsh, me ndikim në shitje.
Shoqëria vazhdoi operacionet normale gjatë gjithë vitit, pa asnjë ndërprerje. Pasojat e përhapjes së COVID-19 kanë ndikuar në zinxhirët e furnizimit dhe kërkesën për produktet kryesore të Shoqërisë dhe për këtë arsye, rezultatet e saj të funksionimit janë ndikuar gjatë gjysmës së parë të vitit. Sidoqoftë, rimëkëmbja e biznesit në gjysmën e dytë të vitit, ka nxitur rezultatet e shoqërisë për vitin 2020”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“BERALB”, me aktivitet në fushën minerare, është nga të paktët me ecuri pozitive, duke u zgjeruar me 56%, në 2 miliardë lekë. “Efekti i pandemisë në industrinë e bakrit ka qenë i kufizuar krahasuar me sektorë të tjerë të ekonomisë”, thuhet në raportin vjetor.
“Kombinati i Mishit” raportoi të ardhura me rreth 2.5 miliardë lekë, me tkurrje prej 8%. “Për shkak të situatës së pandemisë, viti 2020 ka qenë i vështirë edhe për shoqërinë, që reflektohet në rënien e treguesve ekonomikë dhe financiare, krahasuar me vitin 2019”, thuhet në raportin e aktivitetit. “Tipar dallues i kësaj periudhe është ulja e të ardhurave nga aktiviteti i shfrytëzimit, e cila ka ardhur nga shumë faktorë, ku më kryesori është ulja e fuqisë blerëse të konsumatorit. Për zhvillimet ardhshme, shoqëria ka planifikuar të ecë nëpërmjet investimeve të reja drejt rritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve, përmirësimit të menaxhimit në të gjithë sektorët, zgjerimin në tregun e brendshëm”.
Grupi “EHW” me aktivitet në përpunimin e mishit, prodhimin e ujit, etj., raportoi 5.8 miliardë lekë të ardhura, me zgjerim vjetor prej 10%, teksa grupi përfitoi drejt orientimit të konsumit në produktet bazë.
“Lajthiza Invest”, prodhuese e ujit, raportoi aktivitet të qëndrueshëm, me të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh (+1.4%).
Presioni mbi të mëdhenjtë e këpucëve
Industria e veshjeve të këmbëve ishte një nga më të prekurat nga ndryshimi i sjelljes konsumatore dhe mbylljes së gati gjithë botës në pjesën e parë të vitit. Porositë nga partnerët e huaj u ndërprenë njëherësh, që në fillim të mbylljes. Stoqet e krijuara dhe karantinat e reja vonuan më pas rikuperimin në gjysmën e dytë të vitit, ndryshe nga industritë e tjera që e morën veten më shpejt.
“Fital”, “Albaco Shoes” janë prodhuesit më të mëdhenj të këpucëve në vend.
“Albaco Shoes”, ka tkurrur aktivitetin me 14%, duke zbritur në një qarkullim vjetor prej 2 miliardë lekësh.
“Fital” ka raportuar rënie të ardhurash me 33%, në 1.7 miliardë lekë. Skënder Pashai, administrator i shoqërisë, pohon se rikuperimi nisi vetëm në vitin 2021. Shitjet e këpucëve të modës krahasuar me vjet janë rritur, ndërsa në raport me periudhën para pandemisë janë 25% më pak. Sipas raportit vjetor të aktivitetit, në 2020-n, paga mesatare ishte 29.1 mijë lekë, duke u ulur me 7.4% në krahasim me vitin e mëparshëm, një reflektim i pasojave të pandemisë.
Në vitin 2020, eksportet e veshjeve të këmbëve ranë me 20% me bazë vjetore, pas një tkurrjeje prej 6.3% vitin e mëparshëm. Sektori vijon të ketë varësi të lartë nga Italia, drejt së cilës shkuan 86% e shitjeve totale të këtij grupi.
Rimëkëmbja është më e ngadaltë për industrinë e këpucëve në raport me sektorët e tjerë. Karantina e fundit të 2020-s dhe muajve të parë të 2021 i dha një tjetër goditje kërkesës. Për 7-mujorin 2021, eksportet e veshjeve të këmbëve ishin 11% më të larta se e njëjta periudhë e 2019-s, por mbeten 25% më të ulëta se janar-korriku i 2019-s.
Ndryshe nga tekstilet, në këtë periudhë, prodhuesit e këpucëve janë në vështirësi për gjetjen e lëndës së parë, ndonëse porositë për prodhimin e këpucëve nuk kanë munguar siç thekson administratori i kompanisë “Fital”, Skënder Pashaj.
Të fitosh nga kriza
Ku ka krizë, ka dhe mundësi. Ndërsa prodhuesit e këpucëve e kishin më të vështirë përshtatjen, disa sipërmarrës të industrisë së tekstileve e diversifikuan me shpejtësi aktivitetin në prodhimin e maskave, ose veshjeve për përdorim mjekësor. “Ambra”, fabrikë tekstilesh, rriti të ardhurat me 273%, në 1.57 miliardë lekë në 2020-n, duke iu afruar 200 më të mëdhenjve. Sipas raportit vjetor, të ardhurat e shoqërisë për vitin 2020 janë realizuar nga shitja e shërbimeve në fushën e konfeksioneve, ndërsa ka pasur kontrata shtesë për prodhimin e artikujve sanitarë për eksport.
“SAM”, kompania e prodhimit të veshjeve sportive, pothuajse dyfishoi të ardhurat në 340 milionë lekë, ndonëse nuk renditet tek të mëdhenjtë. Mimoza Vojka, administratore e SAM, tha se me fillimin e pandemisë, duke parë tendencën globale, tha se i nxiti kompanitë partnere të shikonin mundësinë e prodhimit të maskave për një periudhë të përkohshme. “Vendimtare ishte shpejtësia në marrjen e vendimit dhe përgatitja për të prodhuar këtë produkt të ri”, thotë ajo.
Orientimi i shpejtë drejt prodhimit të maskave i mundësoi kompanisë, jo vetëm të kompensojë rënien e kërkesës për produktet e tjera, por edhe të rrisë ndjeshëm aktivitetin me shpejtësi, në një periudhë kur karantina kishte paralizuar pothuajse të gjithë ekonominë. “Kjo i dha vlerë kompanisë, por dhe mundësoi pagesa të rritura për personelin”, pohon ajo.
“Marsi & Al”, e fokusuar në prodhimin, tregtimin e artikujve të veshjeve të punës, prodhimin e uniformave të ndryshme ushtarake, është një hyrje e re në “Monitor 200”, pas dyfishimit të qarkullimit vjetor, duke deklaruar të ardhura prej gati 1.7 miliardë lekësh.
Industria e miellit
Ndonëse kërkesa për miell ishte e lartë gjatë pandemisë, operatorët kryesorë kanë raportuar rënie të të ardhurave. “Shoqëria Anonime Mielli” (Miell Tirana) ka deklaruar tkurrje me 16%, në 1.7 miliardë lekë, duke qenë e vetmja nga ky segment, e mbetur në listën e 200 të mëdhenjve. Sipas raportit vjetor, viti 2020 është karakterizuar nga një konkurrencë e fortë në treg, kjo si pasojë e një rënieje të konsumit të përgjithshëm. Faktor tjetër që ka ndikuar është rënia e çmimeve për të mbajtur tregun.
“Bloja”, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend para dy vitesh, ka dalë nga renditja e më të mëdhave, që në vitin 2018 dhe ka raportuar rreth 1.5 miliardë lekë qarkullim vjetor në vitin 2020, pothuajse në të njëjtat nivele sa viti i mëparshëm.
“Atlas Millis” rriti aktivitetin me 3.6% në 1.57 miliardë lekë, duke iu afruar listës së “Monitor 200”.
/Marrë nga MONITOR/