Vrasja e një pule i ka kushtuar mjaft shtrenjtë një 66-vjeçari nga Fieri i cili ka përfunduar duke u përballur me ligjin.
66-vjeçari me iniciale P.A nga Radostina e Fierit, ka qëlluar një pulë me armë pasi ajo lëvizte në oborrin e shtëpisë së tij. Një veprim i tillë, mesa duket, ka shqetësuar fqinjët te cilët menjëherë kanë njoftuar policinë.
Uniformat blu pasi kanë mbërritur pranë vendit të ngjarjes kanë konstatuar shpendin e ngordhur në tokë, ndërsa kanë kryer edhe verifikimet për armën e gjahut që kishte përdorur 66-vjeçari, e cila rezultoi me leje.
Pas verifikimeve shtetasi me inicialet P.A është proceduar penalisht, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
U procedua penalisht shtetasi P. A., 66 vjeç, banues në fshatin Radostinë, pasi ka gjuajtur një shpendë në tokën e tij me armën e gjahut që kishte me leje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/Priza.al/