Ditën e sotme media britanike ‘The Sun’ ka bërë një shkrim për vendin tonë ku shkruan se Shqipëria do të kthehet në kamp refugjatësh për emigrantët e paligjshëm. Ky lajm në fakt është përgënjeshtruar nga Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga përmes një postimi të bërë në ‘Twitter’.
Fuga thotë se lajmi është absolutisht i pavërtetë. Duke theksuar se vendi ynë i ka kryer të gjitha detyrat ndaj traditës e jo ndaj atyre që janë më të mëdhenj apo më të pasur, Fuga thotë se ne kemi hapur dyert vetëm për 4 mijë afganët.
REAGIMI:
Lajmi se Shqipëria do ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. Shqipëria hapi dyert për 4 mijë afganë e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne.
Postimi i ‘The Sun’:
Klandestinët që do të kapen në Britaninë e Madhe do të sillen në Shqipëri për strehim. Pas iranianëve, afganëve që janë vendosur në disa qytete të ndryshme të vendit, radha tashmë i ka ardhur emigrantëve ilegalë që kapen në Britaninë e Madhe.
‘The Sun’ ka zbuluar se emigrantët që do kapen në Britaninë e Madhe do të fluturojnë 1.500 kilometra nga Anglia për në Shqipëri, aty ku do të qëndrojnë në një qendër që do ngrihet në Tiranë, teksa kërkesat e tyre për azil do jenë duke u përpunuar nga autoritetet britanike.
Zyrtarët në Londër dhe ato në Tiranë, shkruan ‘The Sun‘ janë afër arritjes së një marrëveshjeje për qendrën e përpunimit të emigrantëve ilegalë. Shefi i shtabit të kryeministrit Boris Johnson, Dan Rosenfield është një nga njerëzit kryesor që po merret me këtë çështje dhe diplomatët e Ministrisë së Jashtme po ndihmon.
Biseda kryesore për këtë çështje është bërë gjatë vizitës së ministres së brendshme britanike, Priti Patel, javë më parë në Shqipëri. Patel shpreson se ky vendim do të pengojë ata persona që planifikojnë të bëjnë këtë udhëtim të rrezikshëm.
Një burim i brendshëm tha: ‘Sekretarja e Brendshme e ka bërë të qartë se ajo dëshiron që kjo qendër të ngrihet. Negociatat janë në një fazë teknike. Tani kemi detajet siç janë vendndodhja dhe numrat e saktë që do të dërgohen në Shqipëri’.
/Burimi: The Sun/