Ajo që ka ndodhur në Afganistan pas largimit të pa koordinuar dhe kaotik të SHBA-ve dhe aleatëve të NATO-s, është jo vetëm dramatike por edhe e turpshme.
Emma Graham-Harrison, korrespondentja e britanikes “The Guardian”, ka bërë një reportazh të shkurtër mbi bazën sekrete të CIA-s amerikane, e cila është braktisur në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.
“Makinat, minibusët dhe automjetet e blinduara që CIA përdori për të zhvilluar luftën e saj në Afganistan ishin rreshtuar dhe djegur përtej identifikimit para se amerikanët të largoheshin”,- përshkruan Graham-Harrison fillimisht.
Kompleksi që ajo ka fotografuar e raportuar ka qenë për 20 vjet selia e CIA-s.
“Ky vend ishte zemra e errët, e fshehtë e luftës kundër terrorit të Amerikës, një vend ku kanë ndodhur disa prej abuzimeve më të këqija në Afganistan”,- shkruan më tej Graham-Harrison.
Në fshatin ku ndodhej baza e CIA-s u trajnuan forcat paraushtarake të lidhura me disa nga abuzimet më të këqija të të drejtave të njeriut gjatë luftës.
Deponia e madhe e municioneve, nënvizon korrespondentja, ishte hedhur në erë.
“Kompleksi i shpërndarë në dy kilometra katrorë në verilindje të aeroportit, u bë famëkeq për torturat dhe vrasjet në burgun e tij ‘Salt Pit’, i koduar nga CIA”,- shton Graham-Harrison.
“Të ndalurit” e quanin “burgu i errët”, sepse nuk kishte dritë në qelitë e tyre, ndriçimi i vetëm i rastit, vinte nga fenerët e rojeve të tyre.
Baza ka qenë për dy dekada një vend diskret, i dukshëm vetëm përmes fotove satelitore ose nga dëshmitë e të mbijetuarve.
“Ne duam të tregojmë se si i kanë shpenzuar asetet që mund të ishin përdorur për të ndërtuar vendin tonë”,- tha Mullah Hassanain, një komandant në njësinë elitare 313 të talebanëve për “The Guardian”.
Njësitë paramilitare që vepronin këtu, të bazuara në kazermat afër ish-burgut të Salt Pit-it, ishin disa nga më të frikshmit në vend.
Kazermat ishin braktisur aq shpejt sa burrat që jetonin atje e kishin lënë ushqimin gjysmë të përfunduar.
“Kryesisht ata kishin marrë ose shkatërruar objektet që përmbanin emra, ose grada”,- ravijëzon Graham-Harrison.
Aty pranë, vendi i burgut të Salt Pit-it me sa duket ishte rrafshuar disa muaj më parë.
Një hetim satelitor i “New York Times” zbuloi se, që nga pranvera, një grup ndërtesash brenda kësaj pjese të kompleksit të CIA-s ishin rrafshuar.
Zyrtarët talebanë thanë se, ata nuk kishin ndonjë hollësi në lidhje me Salt Pit-in, apo atë që kishte ndodhur me ish-burgun.
/Burimi: The Guardian/Përshtati: Priza.al/