VIDEO/ Zyrtarisht në fushatë, Basha dhe Rama publikojnë spotet për 25 prillin

Partitë politike kanë nisur sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 25 prillit. Kryeministri Rama ka publikuar një videomesazh, ku personazhi kryesor dhe narrator është aktori Robert Ndrenika, i cili thotë se ‘jemi vetëm në gjysmën e rrugëtimit’. Në video Ndrenika flet për teatrin dhe thekson se ai “do ngrihet aty ku ishte por shumë herë më funksional dhe shumë herë më i bukur nga sa ishte”.

“Teatri ishte një vend që gjallëronte. Teatri ishte pasioni ynë, ishte shtëpia ime, shtëpia juaj dhe e të gjitha familjeve tona, por tani boshatisja e tij tregon vuajtjet tona në këto kohë që shfaqjet janë ndaluar. E di që këtu do shohim përsëri shfaqje. Jo vetëm këtu por edhe në Teatrin e ri kombëtar që do ngrihet aty ku ishte por shumë herë më funksional dhe shumë herë më i bukur nga sa ishte. Dhe jemi vetëm në gjysmën e rrugëtimit tonë.

Vështirësitë që kaluam nuk na thyen dot, përkundrazi na bashkuan na sollën më pranë njëri-tjetrit.

Ndjemë nevojën për të ndihmuar ata që ishin më shumë në vështirësi, na kanë bërë më të fortë ato vuajtje.

E megjithatë akti ynë i dytë s’ka ardhur ende. E ardhmja jonë është plot shpresë.

Akti i dytë është vizioni i një Shqipërie më të mirë në një ekonomi më të fortë, me paga më të larta, me turizëm që lulëzon, më shumë mundësi për rininë, përkujdesje për të pamundurit dhe njerëzit në ,nevojë një jetë më të mirë për të gjithë ne, është koha që punët e nisura ti shpiem deri në fund.

Të ardhmen që meritojmë kemi filluar ta prekim, së bashku do vallëzojmë sërish, do këndojmë sërish, do ngrihemi përsëri më të fortë se më parë. Nuk ka kohë për pushim,

Shqipëria është e ardhmja jonë”, thuhet në videomesazh.

Në ditën e parë të ndeshjes zgjedhore, siç e ka quajtur vetë, Rama shkruan krahas videos: “MIRËMËNGJES?dhe për hajër të gjithëve bashkë, për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë, të ardhmen tonë??

*Dita e Parë e ndeshjes zgjedhore”.

Nga ana tjetër, kryedemokrati Basha ka publikuar një video në ‘Facebook’. Basha shprehet përmes videos se kanë mbetur edhe 31 ditë, e Shqipëria do të fitojë.
Përmes pamjeve, Basha iu bën thirrje të gjithë shqiptarëve që më datë 25 prill, të votojnë numrin 9, Partinë Demokratike të Shqipërisë.

“Së bashku do të fitojmë”, shkruan lideri demokrat në rrjetet sociale.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *