Mediat botërore po i referohen akoma e më shumë shëndetit të Presidentit të Turqisë, Erdogan pasi është filmuar duke patur probleme teksa merr pjesë në disa aktivitete publike.
“Foreign Policy” shkruan se Erdogan e ka thuajse të pamundur që të vijojë të drejtojë Turqinë deri në zgjedhjet e vitit 2023 për shkak të problemeve shëndetësore. Gazetarë opozitarë turq flasin për kancer në zorrën e trashë, por kjo nuk është konfirmuar asnjëherë nga autoritetet turke, të cilat kanë qenë shumë të rezervuara në lidhje me shëndetin e liderit turk.
Madje, “Foreign Policy” parashikon një tërheqje të shpejtë të Erdoganit nga skena politike duke radhitur edhe momentet kur ai është dukur i dobët.
“Situatat ku atë e merr gjumi në aktivitete publike, apo që nuk ecën dot duke kërkuar ndihmën e bashkëshortes dhe të badigardëve janë bërë normale tani për liderin turk”, shkruan “Foreign Policy”.
Ndërkohë, media izraelite “Neës13” shkruan se pasi të largohet, Erdogan do të lerë si pasardhës ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar, i cili ka formuar gjithashtu rrethin e tij të mbështetësve mes elitës drejtuese të Turqisë së sotme.
“Akar ka formatuar ushtrinë sipas kërkesave të Erdoganit dhe tani shihet si një pasardhës legjitim i tij”, shkruan media izraelite.
Pretendentë të tjerë për karrigen e Erdoganit janë edhe ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu si edhe dhëndri i tij Berat Albayrak .
/Priza.al/