‘Squid Game’ u refuzua disa herë nga Netflix/ Historia e regjisorit që ishte trokë dhe…

Të gjithë po flasin për “Squid Game”, serialin që tregon sesi 456 njerëz, në një situatë të paqëndrueshme ekonomike, konkurrojnë në lojëra vdekjeprurëse për të fituar paratë që mund t’u ndryshojnë jetën. Po kush është mendja pas lojërave mizore në “Squid Game”?

“Squid Game” (Loja kallamar) është krijuar nga Hwang Dong-hyuk, i cili është edhe regjisori. “Squid Game” nuk u krijua tani afër, përkundrazi – puna për të cilin daton një dekadë më parë.

Hwang Dong-hyuk

Në një intervistë për portalin NME, Hwang tregoi se ai shkroi komplotin origjinal si skenar filmi në vitin 2009, por për shkak të skenarit kompleks, askush nuk donte të ndihmonte në prodhimin e tij. U refuzua disa herë derisa Netflix vendosi të vinte bast për serialin.

Ai u frymëzua nga manga të ndryshme dhe lojëra koreane për fëmijë gjatë viteve ‘70 dhe ‘80.

“Kur fillova, isha në telashe financiare dhe kalova shumë kohë në manhwabang (kafene manga) duke lexuar comics si ‘Battle Royale’ dhe ‘Liar Game’. Unë fillova të pyes veten se si do të ndihesha nëse merrja pjesë në lojëra si kjo. Por e gjeta dinamikën shumë komplekse dhe u përqendrova në përdorimin e lojërave për fëmijë,” tha Hwang për Variety.

Krijuesi e përfundoi shkrimin e skenarit në vitin 2009, por nuk mundi të gjente producentë, shtëpi prodhimi ose aktorë që donin të mbështesnin projektin e tij. Në atë kohë, sipas Hwang në intervista të ndryshme, njerëzit mendonin se ngjarjet në “Squid Game” ishin shumë të dhunshme, komplekse dhe më e rëndësishmja, pak komerciale dhe nuk ishin të përshtatshme për televizionin korean që tenton të jetë shumë i orientuar drejt familjes.

Kaluan 10 vjet dhe i bindur për skenarin e tij, Hwang provoi sërish. Këtë herë, më në fund një kompani i dha lirinë për të krijuar: Netflix.

“Është një histori e trishtë. Por arsyeja pse u ktheva te projekti është sepse bota e sotme është bërë një vend ku këto histori të jashtëzakonshme të mbijetesës janë kaq të zakonshme,” tha regjisori për faqen koreane Chosun.

Në lidhje me kritikat, sipas të cilave “Squid Game” ka një skenar mizogjinist dhe mentalitet të vjetëruar, ai u përgjigj se e shkroi historinë si një “alegori ose fabul për shoqërinë moderne kapitaliste”, një qasje disi e ngjashme me filmin fitues të Oscar, “Parasites”.

Bashkë-drejtori i përgjithshëm i Netflix, Ted Sarandos, tha në një konferencë se “Squid Game” ka “një mundësi të madhe që do të jetë shfaqja jonë më e madhe e të gjitha kohërave”. Me “e madhe” ai i referohet numrit të njerëzve që e kanë parë.

A do të ketë sezon të dytë për “Squid Game”?

Krijuesit dhe regjisorit Hwang Dong-hyuk iu desh një dekadë për ta sjellë para publikut “Squid Game”. Njerëzve iu deshën vetëm disa ditë për ta kthyer në serialin më të përfolur të momentit. Pas suksesit të nëntë episodeve të sezonit të parë, a do të ketë një sezon të dytë?

Për momentin, nuk është konfirmuar një sezon i dytë nga Netflix dhe krijuesi. Megjithatë, ekziston një mundësi që seriali të vazhdojë.

Në një intervistë për Variety, Hwang tha se ideja e një sezoni të dytë është një mundësi, por mund të jetë pak larg. “Unë nuk kam plane të zhvilluara mirë për ‘Squid Game 2’,” tha ai. “Është mjaft e lodhshme të mendosh për të.

Ndër të tjera, u shpreh: “Por nëse do ta bëja, sigurisht që nuk do ta bëja vetëm. Do të kisha parasysh përdorimin e dhomës së shkrimtarëve dhe do të doja shumë regjisorë me përvojë.”

Me “dhoma e shkrimtarëve” ai i referohet praktikës ku krijues të shfaqjeve dhe skenaristë të shumtë bashkëpunojnë për komplotin dhe skenarin. Duke marrë parasysh popullaritetin, mundësitë që “Squid Game” të vazhdojë janë të larta.\

/Burimi: Variety/ Përshtati Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *