Kredia për kompanitë private të sektorit energjetik për herë të parë ka kaluar nivelet e para pandemisë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për këtë degë të ekonomisë në fund të muajit gusht arriti në pothuajse 29 miliardë lekë ose rreth 238 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, kredia për sektorin energjetik është rritur me 9.2%, ndërsa vlera e portofolit ka kaluar nivelin prej 28.3 miliardë lekësh, që shënonte në mars të vitit të kaluar. Vlera e gushtit është njëkohësisht më e larta e regjistruar në serinë e statistikave të kreditimit të këtij sektori, të paktën për pesë vitet e fundit.
Para pandemisë, sektori i energjisë ishtë ndër degët më dinamike në huamarrjen nga sektori bankar. Mes fundit të vitit 2018 dhe marsit 2020, portofoli i kredisë për këtë sektor u rrit me rreth 76%. Pas muajit mars 2020, ky portofol ra në stanjacion, duke qenë një ndër degët që u ndikua ndjeshëm nga efektet e pandemisë.
Megjithatë, që nga muaji dhjetor 2020, tendenca e kreditimit të këtij sektori është në përmirësim. Në veçanti, muajt e verës kanë sjellë një rritje më të qëndrueshme, duke bërë që vlera e portofolit të tejkalojë nivelet e para pandemisë.
Sistemi bankar shqiptar ka mbështetur shumë projekte koncesionare për ndërtimin e veprave të reja energjetike, megjithëse fillimisht financimi i tyre projekteve u prit me një lloj skepticizmi. Problemi kryesor ishte mungesa e garancive të mjaftueshme nga investitorët. Megjithatë, kjo pengesë u zgjidh gradualisht nëpërmjet vendosjes së kolateralit mbi asetet e HEC-eve, përmes pengut mbi makineritë e pajisjet, mbi të ardhurat nga shitja e energjisë dhe mbi aksionet e kompanive.
Sidoqoftë, financimet e sektorit bankar shqiptar përbëjnë një pakicë kundrejt totalit të investimit të kryer në veprat e reja energjetike në vitet e fundit. Kompanitë, që zotërohen nga investitorët e mëdhenj të huaj, si Gazsjellësi Trans-Adriatik, Devoll Hydropower ose Energji Ashta i kanë financuar investimet me kapitalet e tyre, ndërsa një pjesë e investimeve janë mëbshtetur me financime edhe nga bankat e zhvillimit ose nga banka tregtare jashtë Shqipërisë.
Të dhënat e viteve të fundit kanë treguar se bizneset e koncesioneve janë aktualisht mes ndërmarrjeve më fitimprurëse në Shqipëri, megjithatë, edhe ky biznes nuk është pa rreziqe afatgjata. Rreziku kryesor lidhet me faktorin natyror dhe pritshmëritë për prurjet e lumenjve në kohë, që në disa raste mund të jetë mbështetur në projeksione tepër optimiste. Të dhënat e këtyre viteve kanë treguar se prodhimi i energjisë nga HEC-et private ka qenë i luhatshëm, si rezultat i ndryshimit të prurjeve në basenet e lumenjve.