Zbardhet shkaku i zjarrit në spitalin e Tetovës: Shpërtheu nga një kabllo vazhduese, ku ishte…

Ditën e sotme Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ka publikuar raportin rreth zjarrit që shpërtheu me datën 8 shtator në spitalin e këtij qyteti ku katërmbëdhjetë persona humbën jetën

Sipas raportit, zjarri shpërtheu nga një kabllo vazhduese, ku ishte vendosur defibrilatori – pajisje për trajtimin e pacientëve në rast të ndonjë sulmi kardiak. “Mbinxehja e kabllos shkaktoi zjarrin në kutinë ku ishin të lidhur defibrilatori, karikuesi i telefonit celular dhe një pajisje tjetër”, thuhet në raportin e Prokurorisë.

Prokuroria tha se po vazhdon të hetojë edhe shkaktarët e tjerë të mundshëm dhe shtoi se pas mbledhjes së të gjitha provave verbale dhe materiale, pas shqyrtimit dhe analizimit të tyre, do të merret vendimi për rrjedhën e mëtejshme të procedurës. Për shkak të zjarrit në spitalin e Tetovës, ku trajtoheshin pacientë me koronavirus, dorëheqje dhanë: ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, zëvendësministri Ilir Hasani, si dhe dy drejtorë të spitalit të Tetovës. Dorëheqjet, megjithatë, nuk u pranuan ende nga kryeministri Zoran Zaev.

I pyetur se si do të veprojë tani pas publikimit të raportit hetues, Zaev tha se pasi ta ketë lexuar raportin, gjatë ditës së martë apo të mërkurë, do të merrë vendimin përfundimtar. “Më lejoni ta lexoj raportin, të shoh gjithçka që është publikuar, në mënyrë që të mund të jap qëndrimin tim. Gjatë ditës ose më së voni të mërkurën do të prononcohem”, tha Zaev. Raporti i Prokurorisë, sipas opozitës maqedonase, është i sajuar nga partitë në pushtet, “për të fshehur fajësinë e drejtuesve të institucioneve përgjegjëse”.

“Është e qartë se Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes Prokurorisë në Tetovë, e kanë porositur këtë raport, që u përshtatet atyre për të fshehur përgjegjësinë mbi tragjedinë”, tha nënkryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Aleksandar Nikollovski. Ai tha se ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, është më përgjegjësi për të gjithë rastin, sepse, sipas Nikollovskit, “Filipçe është përgjegjës për ndërtimin e spitaleve modulare, që nuk përmbushin kushtet elementare për sigurinë e pacientëve”.

Në hetimin e tragjedisë në spitalin e Tetovës janë përfshirë edhe disa ekspertë gjermanë, të cilët po ashtu pritet të dalin me versionin e tyre mbi shkaqet e shpërthimit të zjarrit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *