Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar largimin e Ardi Veliut nga posti i kryepolicit. I ftuar mbrëmjen e sotme në “LOG”, u shpreh se Ardi Veliun e detyruan që të vetëdorëhiqej nga detyra.
“Sot jemi pa drejtor të përgjithshëm policie. Unë dua të kuptoj cfarë po gatuan në krahun tjetër. E mban mend kur e hoqi Lleshajn, e përdori në një situatë kur u vendos në presion publik, si rasti i Klodian Rashës, dolët në protestë, ja ku e keni “kokën e turkut”.
Fatmir Xhafaj e solli Ardi Veliun, me të cilin bëri dy palë zgjedhje dhe përballoi të gjitha protestat pas daljes së opozitës nga parlamenti. Pse tani? Ardi Veliu nga shkresa kupton që është vetëdorëhequr.
Rama vendosi në këto momente. Unë nuk kam kuptuar arsye të dukshme. A thua ra avioni? Nuk është hera e parë. Ka ndonjë situatë të jashtëzakonshme? Jo. Nuk ka pasur. Pra, Rama ka vendosur, ka gjetur këtë zgjidhje me dorëheqje. Jemi para faktit të kryer.
Meqë iku Veliu sot, nesër nuk do të trafikohet kokainë, heroinë, apo nuk do të ketë ngjarje? Po, do të ketë. Për mua njeriu që është përgjegjësi direkt është kryeministri i vendit, që punon me WhatsApp. Dhe kur punon me këtë standard mos prit për standarde e dokumente. Surpriza e vetme është me cilin do ta zëvendësojë,”-tha Artan Hoxha duke komentuar emrat që kanë dalë në media.
Shemsi Prençi u shpreh se Ardi Veliu është njoftuar që mbrëmë për shkarkimin nga detyra nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Ajo, letra nuk është shkresë e përgatitur nga Ardi Veliu, as nga varësit as e shtypit në drejtorinë e policisë. Shkresa së pari nuk mban asnjë format zyrtar të ministrisë së Brendshme, as numër protokolli nuk ka.
Shkresa nuk është zyrtare, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Ai erdhi në krye të policisë në rrugën më të pandershme duke kapërcyer tre grada.
Në dijeninë time Veliu e ka marrë vesh mbrëmë përmes ish-ministrit Xhafaj, që e mori vesh nga Veliaj, sepse ka dalë sekreti i shkarkimit dhe Veliu ishte i shkarkuar që në mëngjes, nuk kishte pse të priste orën 12”,- tha ai.
/Priza.al/