Gledis Nano emërohet drejtori i ri i Policisë së Shtetit

Gledis Nano, i cili së fundmi ka mbajtur detyrën e drejtorit të Antiterrorit në Policinë e Shtetit, është emëruar ditën e sotme si drejtor i Policisë së Shtetit.

Emërimi i tij është firmosur këtë të mërkurë në mbledhjen e Qeverisë nga zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj dhe është bërë me propozim të Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu vendosi që të largohej nga detyra një ditë më parë. Ai firmosi letrën e dorëheqjes me argumentin se do të tërhiqej për t’ju dedikuar familjes së tij.

Gledis Nano u emërua në detyrën e  kreut të drejtorisë të Antiterrorit që prej 17 shkurtit 2016 pas një pune të gjatë dhe eksperiencë 17-vjeçare si pjesë e policisë së shtetit.

Gjatë të gjithë karrierës Nano ka kryer detyra të ndryshme në polici ku ka pasur rezultate në zbulimin e ngjarjeve të rëndësishme.

Në vitin 2013 ka kryer hetimet e dosjes se “Imameve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin. Gledis Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranian nga Shqipëria.

Burime nga Ministria e Brendshme i thanë Top Channel se Gledis Nano së bashku me një tjetër oficer të Antiterrit morën pjesë në nxjerrje  nga Kampi Al Hol në Siri të Alvin Berishës.

Për vetë postin e rëndësishëm që ai mban në krye të Antiterrorit shqiptar, Gledis Nano është trajnuar gjatë të gjithë karrierës së tij nga agjencitë më prestigjioze ligjzbatuese perëndimore dhe në 2017-n është  diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI në Quantico Virginia.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *