Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi zyrtarisht emërimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit. Në fund të mbledhjes së qeverisë, ministri Çuçi vlerësoi punën e bërë në këto katër vite në Policinë e Shtetit nga Ardi Veliu, ndërsa shtoi se drejtori i ri ka sfidën për ta çuar përpara performancën e shkëlqyer të paraardhësit të tij.
“Besoj se të gjithë treguesit e sektorit të policisë flasin për një rritje dhe një standard të krijuar tashmë të performancës së Policisë së Shtetit në nivele maksimale. Z. Nano që zëvendëson Veliun, pa diskutim që ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të policisë në këto vite.
Fikja e kandilit, situata që krijohen me opozitën në komisione dhe do ja lë atij momenti. Janë të gjithë treguesit që flasin se kemi arritur një standard. Ne gjithmonë vendosim objektiva, synojmë për më mirë. E vetmja konstant e jona është ndryshimi. Tani sjellim një energji të re, me synimin për të realizuar objektivat dhe të gjitha angazhimet që kemi marrë ne në mandatin e tretë të qeverisë”, tha ministri i Brendshëm.
Por, kush është kryepolici i ri, Gledis Nano?
Gledis Nano vjen nga një karrierë gati 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, ku 5 vitet e fundit i ka pasur në krye të Antiterrorit, ku ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka udhëhequr operacione të vështira, siç ishte riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi i ferrit në Siri “Al-Hol”, zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë, etj.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia.
Nano e ka nisur karrierën e tij në Policinë e Korçës, më pas ka drejtuar sektorin e Krimeve në Policinë e Vlorës, e më pas është emëruar në Tiranë. Në vitit 2013, ai u mor me hetimin e dosjes së “Imamëve”.
Gjatë viteve të karrierës, Gledis Nano është vlerësuar herë pas here nga Policia e Shtetit dhe së fundmi në gusht të këtij viti u vlerësua dhe nga ambasada amerikane me certifikate vlerësimi.
Gledis Nano mbante gradën “drejtues i parë” dhe pas emërimit në krye të Policisë së Shtetit mori gradën “drejtues madhor”.
/Priza.al/