Qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit, kanë marrë vendimin për shtyrjen e çelje së universiteteve. Lajmi është bërë i ditur nga vet ministrja Evis Kushi pak më parë me anë të një postimi në Facebook.
Shkak për këtë vendim, duket se është bërë numri i ulët i vaksinimit të studentëve dhe pedagogëve, si dhe refuzimi nga këta të fundit për bërjen me detyrim të vaksinave.
Ajo shkruan në rrjete sociale, se shtyrja ka ardhur për arsye që të përshpejtohet procesi i vaksinimit të pedagogëve dhe studentët, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve.
Ministrja njofton se me kërkesë së Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të nisë më datën 18 tetor dhe koha e mbetur, pra nga data 11 deri në 17 tetor, të shfrytëzohet për vaksinim. Në ndihmë të kësaj, ministrja thotë se ambientet e universiteteve do të jenë të hapura me personel mjekësor të gatshëm për të kryer injektimet.
Ja reagimi i plotë i Ministres së Arsimit, Evis Kushi:
“Të dashur studentë,
Së pari dua t’ju falënderoj të gjithë ju që i jeni bashkuar procesit të vaksinimit dhe po na ndihmoni që së bashku t’i rikthehemi normalitetit në të gjitha universitetet e vendit. Meqënëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditore pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si “Java e vaksinimit masiv të studentëve”.
Shumë faleminderit edhe një herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që shprehu menjëherë gatishmërinë që në të gjitha fakultetet dhe universitetet e vendit të vendosë në dispozicion ekipet e tyre të vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij procesi.
E që kjo javë të jetë sa më produktive, me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve.
Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit, ndërsa studentëve do t’u lutesha me gjithë zemër e do t’i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm.
Kam shumë besim që ju, të dashur studentë, do të na provoni edhe këtë herë që jeni pjesa më vitale dhe progresiste e shoqërisë sonë.
Faleminderit dhe shumë suksese të gjithëve!”
/Priza.al/