Presidentja e Komisionit Evropian: BE e paplotë pa Ballkanin Perëndimor. Energjia? Brenda javës publikohen planet

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbajti një deklaratë pas përfundimit të samitit të Ballkanit Perëndimor-BE, që u mbajt në Slloveni. Von der Leyen zbuloi disa nga temat kryesore të diskutuara në samit, ku fokusi ishte integrimi i gjashtë vendeve të rajonit.

Duke u ndalur te kjo çështje, Presidentja e KE theksoi se BE ka treguar mungesa në procesin e integrimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa u shpreh se duhet të tregohet e qartë dhe të ecë përpara në këtë proces.

Sipas Von der Leyen, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm, pasi BE është e paplotë pa këto vende. Në fjalën e saj, Presidentja e KE foli dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se dialogu mes vendeve është shumë i rëndësishëm për BE-në, ndërsa përmendi dhe arritjen e marrëveshjes me ndërmjetësimin e Evropës për reciprocitetin e targave.

Kriza e energjetikës, që po prek botën dhe që është paralajmëruar të vijë edhe në Shqipëri, që do të shoqërohet me çmime marramendëse, është bërë temë diskutimi në samitin Ballkani Perëndimor-BE, në Slloveni.

Në përfundim të këtij samiti, gazetarët kanë pyetur Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, lidhur me këtë krizë.

Në përgjigjen e saj, Von der Leyen është shprehur se “Sa i përket rritjes së çmimit të energjisë, është e qartë që 90% e gazit është e importuar. Kemi detyra për të përmbushur, do të kemi një deklaratë ditët në vijim lidhur me këtë çështje. Do të shohim edhe veprimin tonë në planin afatgjatë”.

“Do doja të reflektoja për samitin e Ballkanit Perëndimor. Mesazhi është shumë i qartë, ndajmë të njëjtën histori, kemi të njëjtat interesa dhe të njëjtat vlera. BE nuk është i plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, ndaj do të vazhdojmë punën për të avancuar në procesin e zgjerimit të BE. Qëllimi ynë është zgjerimi. Plani ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe është në qendër të angazhimit tonë në rajon. Kemi një plan të madh, me 30 miliardë euro për rajonin. Duhet një treg i përbashkët rajonal. Javën e kaluar kam udhëtuar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kem diskutuar për këtë çështje. Ndjeva padurimin e popujve nga zgjatja e procesit të zgjerimit, pasi dëshira e tyre është që të jenë pjesë e BE.

Sa i përket reformave, është e qartë se partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po ndërmarrin reforma të rëndësishme, është bërë shumë progres dhe është i dukshëm. Duhet të theksojmë reformat, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, lirisë së medias dhe zhvillimin ekonomik.

Por, edhe BE duhet të bëjë më shumë. Ka treguar mungesa në procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe RMV. Duhet të ecim përpara në këtë proces, ta qartësojmë. Po bëhet një punë intensive nga Komisioni Evropian për çështjet kryesore, që është edhe çështja bilaterale mes RMV dhe Bullgarisë. Shpresoj që ata ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem dhe të ecin përpara. Kemi diskutuar në samit dialogun.

Kemi diskutuar edhe çështjen e pandemisë. Kemi dhuruar një sasi të madhe vaksinash kundër virusit dhe do të vazhdojmë të jemi partnerë të ngushtë në vitet dhe dekadat e ardhshme. Kemi dhe planin ekonomik. Ky plan do të ndikojë në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Mbi të gjitha dhe për ndërlidhjen e rrugëve.

Kemi përgatitur një akt verimi për Ballkanin Perëndimor, kemi një agjendë të re. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat, vlen për t’u përmendur pasi është një marrëveshje që u arrit me ndërmjetësimin e BE. Kjo është një shembull për gjithë rajonin. Treguam dëshirën tonë për të gjetur zgjidhje, edhe në situata të vështira si këto. Situata ishte e tensionuar. Kjo është e qartë, që angazhimi ynë për zgjerimin është ndër elementet tona kryesore për të ecur”,

Pyetje: Çfarë kredibiliteti ka zgjerimi, çfarë mund t’i japë qytetarëve në rajon? Rritja e çmimit të energjisë dhe reforma në energji, të gjithë presin që BE të veprojë, çfarë mund të bëjë BE lidhur me këtë?

Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel: Ne ndjejmë nevojën, rëndësinë për të vepruar, mbi të gjitha për prioritetet, për reformat, vlerat, investimet, dhe kemi qenë mjaft aktivë ditët e kaluara për të ndihmuar, për të lehtësuar dhe mbi të gjitha për të bërë progres. Kemi pasur dhe një darkë informale dhe sot kemi dhënë shembuj konkretë. Nëse duam të jemi më efikasë e më të vendosur, na duhen patjetër edhe rezultate të tjera. Megjithatë, kemi treguar përfshirje konkrete. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë dhe dëshirojmë të bashkëpunojmë me ta.

Sa i përket rritjes së çmimeve të energjisë, do diskutojmë në takime të tjera. Do të bëhen përgatitje serioze, në mënyrë që të japim disa orientime. Dhe do të kemi edhe mbështetjen e Komisionit Evropian lidhur me këtë. KE do të publikojë një deklaratë lidhur me këtë çështje, në mënyrë që të kemi të gjithë një informacion të përbashkët. Të punojmë për këtë, që të japim orientimin tonë në një tjetër nivel. Do ishte mirë të gjenim një qasje të përbashkët lidhur me këtë.

Von der Leyen: Sa i përket procesit të zgjerimit, kemi diskutuar shumë. Pjesa më e madhe e liderëve të BE kanë shprehur mbështetje që të ecim përpara me Shqipërinë dhe RMV. Urojmë shumë që të ketë një zgjidhje të çështjes mes RMV dhe Bullgarisë. Fakti që ne po investojmë 30 miliardë euro në rajon, flet vetë. Jemi shumë të bindur që kjo nuk do të ketë benefite vetëm për vende te Ballkanit Perëndimor, por edhe për BE, dhe do të lehtësojë rrugën drejt BE.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *