Rama ia thotë ‘troç’ PD-së: Ju s’drejtoni dot veten tuaj, jo më Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama gjatë seancës së sotme parlamentare bëri deklaratën se Shqipëria do të jetë eksportuese neto e energjisë brenda kësaj dekade. Referuar akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Rama tha se “ju s’drejtoni dot veten tuaj jo të drejtoni Shqipërinë”.

Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se opozita nuk ka mbështetur asnjë nga reformat e qeverisë në 8 vite dhe e ka mbushur opinionin publik me të pavërteta. Rama tha se kriza energjitike nuk varet nga qeveria, ndërsa referuar akuzave të disa viteve më parë për arrestimin, Rama tha se asnjë njeri që nuk ka paguar energjinë elektrike nuk është përballur me arrestimin. Të vetmit, tha ai, kanë qenë ata që kanë vjedhur energjinë elektrike. Rama iu përgjigj edhe kritikëve që thonë se në vendet e tjera të rajonit dhe Evropës pagat janë më të lartë. Kryeministri deklaroi se në Gjermani, shumë nga të ardhurat i kthehen pas shoqërisë në taksa dhe sigurime, ndërsa në Shqipëri biznesi ka lehtësi si taksa dhe TVSH, zero.

“Ne jemi këtu për debat, patjetër të sa të doni por mos u merrni me persona, i qepeni njërit e kap tjetrin e shaj, sa më shumë të merreni e persona aq më pak do korrni atje, ju s’drejtoni dot veten tuaj jo të drejtoni Shqipërinë. Ne kemi sot dy parqe në kantier me energji diellore, po hapim dhe kantierin e energjisë së erës, Skavica ka nisur puna por dhe për tecin e Vlorës që e latë gërmadhë për ta kthyer portë të hyrjes së gazit të lëngshëm nga SHBA. Brenda kësaj dekade ne do jemi eksportues neto të energjisë dhe atëherë po s’do jemi më të varur se ca ndodh lart e poshtë.

Sa për krizën energjetike, e para është që ne nuk kemi sot një kapacitet të atillë prodhues që të sigurojmë sovranitetin e plotë dhe për këtë po punojmë. Kur ka shumë shi ne jo vetëm që nuk arrijmë dot të mbledhim rezerva, por siç bënit ju në të shkuarën dhe për fat të keq duhet ta bëjmë ne se nuk bëtë asgjë, jemi të detyruar që kur bien reshje përtej normës, të hapim portat dhe t’i hedhim në fushat e prodhimit ato të ardhura që duhet t’i rentabilizonim e t’i kishim për ditë të vështira.

Shqiptarët nuk janë budallenj, a thua se keni ardhur nga hëna, a thua se nuk keni mbajtur në kurriz kriza. Ju duhet të bëni moratorium heshtje, sepse ju një gjeneratë e futët në gropë me politikën energjitike dhe me të gjithë atë ç’organizim, keni lënë gropën më të madhe në historinë e planetit. E si u bëka një kapërcim epokal sa hap e mbyll sytë, duke ju patur dhe juve mbi kurriz. Që edhe për vjedhjen e energjisë mbushët miletin me llafe që kush s’paguan futet në burg. Asnjë që nuk ka paguar s’ka bërë burg. Kush s’i paguan i priten, kush i vjedh po. Të gjitha këto janë të thjeshta. Shihni rajonin dhe tabelat e pagave. Jam dakord unë që të ardhurat janë ende të ulëta në raport me sfidat.

Jam dakord që gjetkë janë më të larta. Po sa paguajnë ata andej? Se atyre që më thonë dakord kjo e ajo, po në Gjermani kanë pensionin aq e kaq, pyetini sa i kanë taksat e sigurimet. Sa nga ajo që ata marrin i kthehet prapë shoqërisë? Pra për të mos rënduar në këtë fazë njerëzit, jemi të vetmit me biznesin e vogël me taksën zero. Ma gjeni kush e ka taksën zero në rajon. Me TVSH zero deri në 100 milionë. Dikush duhet ti paguajë ato (uljen e TVSH-së). Këto vlejnë për veshët e atyre që ju besojnë pa mendje, por ata s’janë shumicë. Shumica dëgjon me mendjen e vet, jo me çfarë tha pengu e çfarë tha pengmarrësi. Ju çdo tallje që bëni këtu, e paguani në zgjedhje.”

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *