Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël! Rama: 200 mln euro për të garantuar furnizimin pa ndërprerje…  

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat për të komunikuar paketën e masave për përballimin e emergjencës për energjinë elektrike. Vetë kreu i Qeverisë ka deklaruar se kjo paketë do të jetë në mbrojtje të konsumatorit familjar dhe të biznesit të vogël për të përballuar efektet që do të ketë kriza energjetike.

Ditën e djeshme u botua në fletoren zyrtare 6 vendimet e reja që do të futen në zbatim për të përballuar këtë krizë energjetike.

Vendimet përfshijnë pezullimin e të gjitha planeve dhe investimeve të KESH-it, OST-së dhe të OSHEE-së, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Këto shoqëri duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

Për menaxhimin e kësaj gjendje, është ngritur një grup ndërinstitucional, që drejtohet nga Zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.

Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike do të zgjasë deri me 15 prill 2022.

Plani i energjisë nuk parashikon rritje çmimesh për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

Plani ka tre pika, sqaroi Kryeministri:

-Garantimi i energjisë për të gjithë;

-Mbrojtja e konsumatorëve familjarë dhe bizneseve të vogla nga rritja e çmimeve;

-Garantimi i likuiditetit për situatën energjike, me 100 milionë euro këtë vit për kompaninë e shpërndarjes së energjisë dhe 100 milionë euro të tjera vitin tjetër.

Rama shprehet se, qeveria ka krijuar një mburojë për pensionistët dhe për shtresat në nevojë dhe sipas tij vetëm qeveritë e këqija rrisin paga dhe pensione pa marrë parasysh pasojat që mund të vijnë.

Rama u shpreh më tej në fjalën e tij se çmimi i energjisë elektrike, nuk është çmimi real, por i kontrolluar nga shteti për mbrojtjen e konsumatorit.

Rama: Ju kam dëgjuar me vëmendje dhe është e nevojshme të dëgjojmë njëri tjetrin. Por kur ballafaqojmë biem dakord të marrim për bazë faktet reale, sepse përndryshe nuk merremi vesh.

Nuk ekziston asnjë kryeministër edhe më i keqi në botë që dëshirën e vet nuk ka të rrisë pagat dhe pensionet aq sa do i donit. Të rrisësh pagat e pensionet apo të rrisësh kontribute do të thotë të qeverisësh me logjikën e Sudes jo me ndërgjegjen e atdheut.

Të vrasësh të nesërmen duke ecur symbyllur me të sotmen. Dikush po thotë se 8 vite më parë i kemi pasur pagat me të larta në rajon dhe sot jemi të fundit. Tabela e pagave në rajon flet ndryshe. Ja pozicioni ynë 8 vjet më parë, ja dhe rritja e pagave në rajon përgjatë kësaj periudhe.

Të tjerë thonë që ne paskemi braktisur njerëzit në nevojë, ndërkohë që kemi rritur energjinë më shumë se në çdo vend të botës. E para, çmimi ynë i energjisë në faturën që na vjen nuk është çmimi real por i kontrolluar nga shteti për mbrojtjen e konsumatorit.

Kujtojmë se, qeveria vendosi ditën e djeshme të shpallë emergjencën në furnizimin me energji elektrike, ndërsa një vendim i tillë diktohet nga rritja marramendëse e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare, ndërkohë që me këtë vendim u urdhërua edhe pezullimi i investimeve në të tre kompanitë e sektorit energjetik.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *