Skandali me rrugët/ Belinda i heq ‘Gjokës’ tunelin e Llogorasë për paaftësi por i jep Unazën e Madhe, edhe Sadriu merr 23 mln euro për lotin 7

Plot 6 fitues janë shpallur dhe do të jenë ata që do të ndajnë “llokmat” e parave të fondeve publike për tenderin e Unazës së jashtme të Tiranës, prej 100 milionë eurosh.

Edhe në këtë supertender ata që do të përfitojnë copat më të mëdha janë Rrok Gjoka i “Gjoka Construksion”, që do të marë mbi 17 milionë euro për ndërtimin e një loti, si dhe kompania e ish-deputetit të kamur socialist Sadri Abazi, me pjesën më të madhe prej mbi 20 milionë eurosh, për një tjetër lot.

Por edhe shteti shqiptar duket se nga kjo sasi parash që po ndan ka bërë “prokopi”, pasi ka arritur të kursejë plot 9 milionë euro.

“Alko Impeks General Construction” dhe “2T”, janë fitues për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe. Edhe pse në garë për këtë lot morën pjesë edhe 5 operatorë të tjerë, ata u skualifikuan dhe tenderi prej 23.5 milionë euro u fitua nga kompania e familjarëve të ish-deputetit socialist Sadri Abazi.

Autoriteti Rrugor Shqiptar publikoi pasditen e së premtes rezultatet e tenderit për ndërtimin e aksit rrugor që kalon në periferinë lindore të kryeqytetit, me fond limit 2.3 miliardë lekë të reja pa TVSH. Sipas të dhënave zyrtare, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Alko Impeks General Construction” dhe “2T” shpk.

Në garë morën pjesë edhe 5 operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët u skualifikuan të gjithë, duke ngritur flamurin e kuq mbi këtë tender gjigant.

Kompanitë fituese të tenderit për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe kanë lidhje direkte apo indirekte me qeverinë dhe shumicën parlamentare të Edi Ramës.

Kompania “Alko Impeks General Construction” është degë e një shoqërie të regjistruar në Kosovë, nën administrimin e Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist, Sadri Abazi. Kompania me seli në Kosovë është pjesë e konsorciumit “Alko Impeks”, të themeluar nga ish-parlamentari Abazi në Shqipëri dhe që tashmë administrohet nga familjarë të afërt të tij.

Ndërsa fituesi tjetër, kompania “2T” ka si pronar me 50% të aksioneve biznesmenin Artan Sako, vëllain e Komandantit të Gardës së Republikës, Gramoz Sako.

Bashkimi i operatorëve fitues së tenderit për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës kanë ofruar ofertën e katërt më të lartë. Megjithatë, ato u shpallën të suksesshëm, pasi të gjithë konkurrentët e tyre u eliminuan nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Gjoka, fituesi i Lotit 6

Kur u duk sikur biznesmeni Rrok Gjoka, nuk i kishte edhe qa mirë punët me qeverinë, për shkak të problemeve dhe zvarritjeve të punimeve në shumë projekte të mëra, na del se ai ende vazhdon të jetë “lojtar”.

Rrok Gjokës pas një lëvizjeje dhe një goditjeje “nën brez”, ministrja Balluku i hoqi një “super-llokmë” që ishte ndërtimi dhe shpimi i tunelit të Llogorasë.

Thashethemet që dolën në lidhje me këtë anulim flisnin për një shqetësim të ngritur në kabinetin e Ballukut, në lidhje me cilësinë e dobët të treguar nga kompania “Gjoka” në punimet e tunelit të rrugës së “Arbrit”, si dhe atij Kardhiq-Delvinë.

Në të dyja këto superprojekte të marra përsipër nga kompania “Gjoka”, cilësia e punimeve ka qenë një skandal i vërtetë, por gjithsesi qeveria dhe ministria e Ballukut kanë mbyllur njërin sy, vetëm e vetëm që punimet të mbarojnë brenda afateve të rishtyra.

Por në lidhje me tunelin e Llogorasë, aty duket se nuk ka “kompromise”, pasi mbi të gjitha aty duhet cilësi dhe siguri, sepse në të do të kalojnë oligarkët për të dalë më shpejt në vilat e tyre luksoze dhe resortet në Palasë, Dhërmi e Qeparo, dhe jo popullsi nga Dibra apo Delvina.

Ndaj për këtë gjë duket se “Gjoka” edhe u penalizua, por gjithsesi shteti u tregua “zemërgjerë” dhe me një dorë e hodhi por me tjetrën e priti, dhe hop, doli “copa” e Lotit 6 për Unazën e jashtme të Tiranës, plot 17 milionë Euro.

Ndërtimi i Unazës së Madhe të kryeqytetit është shoqëruar me dyshime të shumta për fatura të fryra financiare, si edhe për klientelizëm qeveritar në shpërndarjen e tenderëve.

Ja si janë ndarë “llokmat” e lotëve për Unazën e Madhe

Autoriteti Rugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur fituesit e tenderit për ndërtimin e disa loteve të Unazës së Jashtme të Tiranës si dhe lidhjes së Sheshit Shqiponja me Bulevardin e Ri, një grup prej 6 kontratash që kapi një vlerë rreth 12.1 miliardë lekë (100 milionë euro), nga 13.2 miliardë lekë (108 milionë euro) që ishte fondi limit.

5 kompani dhanë oferta sa 93-96% e fondit limit dhe vetëm 1 kishte ofertë sa 78% e fondit limit. Në total, oferta ishin sa 92% e fondit limit.

Për secilën prej kontratave janë publikuar kompanitë fituese dhe ofertat e tyre:

-Për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7, fituesi është kompania 2T, e cila ka dhënë ofertën e 2,261,328,720 leke, ose 96% e fondit limit prej 2,353,597,373.94 Lekë.

-Për Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6, fituesi është GJOKA KONSTRUKSION, oferta ishte 1,716,910,907.25 Lekë, ose 94.5% e fondit limit prej  1,816,355,589.63 Lekë.

-Për “Ndërtimin e segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”, fitues është  4 A-M, me ofertë 2,386,175,789.24 Lekë, ose 96% e fondit limit prej  2,485,599,781.25 Lekë.

-Për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5, fituesi është G.P.G. COMPANY, me ofertë 1,802,764,499.00 Lekë, ose 93% e fondit limit prej 1,939,309,894.55 Lekë.

-Për Ndërtimin e segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana, fituesi është ALB – STAR, me ofertë 1,987,865,274.00 Lekë, ose 78% e fondit limit prej 2,559,318,901.29 Lekë.

-Për Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, fituesi është EUROTEOREMA PEQIN, me ofertë prej  1,991,017,847.00 Lekë, ose 95% të fondit limit prej 2,096,958,794.70 Lekë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *