Sot është zhvilluar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste kuu është rënë dakord unanimisht që gjatë mbledhjes së Kuvendit të Shqipërisë, ditën e enjte, do të votohet kundër ngritjes së komisionit hetimor për ‘Becchetin’ të propozuar nga Partia Demokratike.
Ndërkohë, është vendosur që të votohet pro ngritjes së komisioneve të tjera hetimore, për ‘Inceneratorët’ dhe për ‘zgjedhjet e 25 prillit’. Për komisionin e fundit, PS do të kërkojë riformulim i objektit të hetimit.
Një tjetër vendim i marrë sot në mbledhjen e grupit parlamentar nga socialistët ka të bëjë me dekretet e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla tha se do të rrëzohen dekretet që lidhen me ndryshimet e bëra në buxhetin e shtetit 2021 për pandeminë apo problematika të tjera.
Po kështu ai informoi se do të votohet kandidatura e Presidentit për anëtar të Autoritetit të Konkurrencës.
“Së pari dua t’ju informoj se mbledhja e grupit parlamentar ka shqyrtuar një sërë çështjesh që lidhen me axhendën parlamentare. Natyrshëm kemi shqyrtuar propozimet e komisionit në lidhje me qëndrimin tonë për disa dekrete të Presidentit të Republikës. Dua t’ju informoj që ne do t’i rrëzojmë dekretet e Presidentit të Republikës për çështje që lidhen me buxhetin e shtetit të vitit 2021 ku ne na është dashur që të bëjmë ndryshime për të bërë qasjet e duhura në raport me adresimin ndaj pandemisë apo problematika të tjera dhe ndërkohë që do të votojmë pro, një prej kandidaturave të propozuara nga Presidenti i Republikës lidhur me anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës”, tha Balla.
/Priza.al/