Në kuadër të vijimit të operacionit “Përfitimi”, ku shiteshin ilaçe kontrabandë gjatë pandemisë është arrestuar sot administratori i një farmacie në Tiranë.
57-vjeçari ishte shpallur më herët në kërkim, ndërsa sot ra në prangat e policisë. Gjithashtu vijojnë të jenë edhe 5 persona të tjerë në kërkim nga policia si të përfshirë në shitjen e ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni “Përfitimi”.
Kapet dhe vihet në pranga 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, finalizuar me datë 08.10.2021, nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 6 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të operacionit, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe sherbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit S. T, 57 vjeç, administrator i një rrjeti farmaceutik.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë. Vijon puna për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i paisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.
/Priza.al/