Ish-presidenti ka gati edhe sloganin e tij të ri për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndërsa sondazhet i buzëqeshin. Partia Republikane duket se po bashkohet përsëri. Të gjithë me Trump.
Donald Trump tashmë e ka gati sloganin e tij të ri për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024: “Ta bëjmë Amerikën Përsëri të Madhe, Përsëri”. Ai e shpjegoi këtë para mijëra mbështetësve, të gjithë pa maska dhe të grumbulluar në shesh në arenën “Fairgrounds” në Des Moines, në shtetin Iowa (Ajoua).
“Në vitin 2020 ne kishim ‘Keep America great’, por Biden po shkatërron vendin, kështu që ne duhet ta bëjmë atë të madhe, sërish dhe përsëri”.
Trump foli për gati dy orë në një tubim që pritej si fillimi i fushatës zgjedhore “të hakmarrjes”. Në realitet, ish-presidenti ende është i paqartë në lidhje me kandidaturën e tij, sikur të kishte ende gjëra në pritje.
Në teori, më i sikletshëm mund të jetë hetimi i Kongresit mbi sulmin në Kapitol Hill më 6 janar.
Raporti paraprak i Komisionit të kryesuar nga demokratja Nancy Pelosi, nxjerr në pah rolin subversiv të Trump, presionin e tij ndaj Departamentit të Drejtësisë, Pentagonit, si dhe ish-zëvendësit të tij, Mike Pence për të bllokuar ratifikimin e votës popullore.
Por me sa duket, “The Donald” është i bindur se ai mund të dalë i padëmtuar edhe nga kjo histori, ashtu siç i mbijetoi politikisht dy akuzave dhe menaxhimit katastrofik të pandemisë.
Këshilltarët e tij, shikojnë sondazhet dhe buzëqeshin. I fundit, i publikuar më 6 tetor, u krye nga “Pew Research Center”: 67% e votuesve republikanë, duan që udhëheqësi “të ruajë një rol prej lideri në politikën amerikane”; 44% do të donin që ai të kthehej në garën për Shtëpinë e Bardhë. Janë përqindje në rritje, ndërsa kujtimi i trazirave të 6 janarit po venitet dita-ditës.
Kundërshtarët e mundshëm të Trump në zgjedhjet paraprake, po marrin masa po ashtu.
Javët e fundit, ish-zv.presidenti Pence, senatorët Ted Cruz (Teksas) dhe Marco Rubio (Florida), ish-ambasadorja e OKB-së, Nikki Haley, guvernatori i Dakotës së Jugut, Kristi Noem, kanë kaluar nga Iowa për të testuar terrenin.
Ata u pritën me “ngrohtësi”, shkruanin gazetat lokale, por nuk kishte asgjë më shumë në krahasim me turmën entuziaste që u pa në mitingun e Trumpit.
Për muaj, një pjesë e konsiderueshme e establishmentit republikan, kultivoi iluzionin se Trump do të detyrohej të tërhiqej ose se zgjedhjet paraprake të ardhshme do të ishin një garë e hapur.
Sot, në Uashington, askush nuk vë baste kundër kandidaturës së tij. Një test? Të shtunën në skenën e Trump, ishte edhe senatori i Iowa-s, Chuck Grassley, 88 vjeç, në kërkim të rikonfirmimit të tetë në zgjedhjet e vitit 2022.
Më 7 janar, pas trazirave në Kapitol Hill, Grassley sulmoi qëndrimin e Donald Trump: “Udhëheqja e tij ka dështuar; unë mendoj se ai ka njëfarë përgjegjësie për atë që ndodhi”. Por në tubimin e fundit, ai vërejti: “Në Iowa, 91% e konservatorëve mbështesin Donald. Do të isha jo inteligjent nëse nuk do ta merrja parasysh”. Partia Republikane duket se po bashkohet përsëri. Të gjithë me Trump.
/Burimi: The Guardian/ Përshtati: Priza.al/