Dje, partitë politike ndezën motorët e fushatës elektorale. PD u pozicionua te sheshi “Nënë Tereza”, ndërsa PS te sheshi “Skënderbej”. Të dyja aktivitetet dallonin shumë mes tyre, pasi PD vijoi traditën e militantëve në shesh, ndërsa PS këtë herë shmangu grumbullimet për shkak të pandemisë.
Lidhur me këtë fushatë, një reagim është përcjellë nga Ambasada Amerikane. Në reagimin zyrtar citohet se SHBA mirëpresin fillimin zyrtar të fushatës. Dhe së bashku me autoritetet vendore, ndërkombëtarët, do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur zgjedhjet deri në përfundimin e tyre.
“Sezoni i fushatës zgjedhore në Shqipëri nisi zyrtarisht dje për të ecur drejt zgjedhjeve kombëtare në 25 prill. Shtetet e Bashkuara mirëpresin fillimin zyrtar të fushatës dhe, së bashku me autoritetet vendore ndërkombëtarët, do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur zgjedhjet deri në përfundimin e tyre me sukses”. Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA: https://bit.ly/3coëoZB
Ceremonia e PD u mbajt në sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa nisi në orën 17:00 dhe përfundoi rreth orës 19:15. Në hyrje të sheshit “Nënë Tereza”, ishte vendosur një portë me logon “Shqipëria fiton”, si një ftesë për të gjithë qytetarët që të votojnë PD-në në 25 prill, ndërkohë që kandidatët demokratë qëndronin në tribunë, derisa atyre iu bashkua kryedemokrati Lulzim Basha, ndonëse me rreth 70 minuta vonesë.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë hyrë të ndarë në zgjedhjet e 25 prillit, por janë bashkë në koalicionin opozitar, dhe pritej që hapja e fushatës të bëhej bashkë. Aleatët e tjerë ishin aty me banderola e flamujt e tyre, por jo LSI.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste u pozicionua te sheshi “Skënderbej”. Kryeministri Rama mblodhi 153 kandidatët për deputetë, ndërsa u kujdes që të kishte lidhje online me rreth 20 mijë mbështetës.