Kontrata e koncesionit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan përfundon më 16 dhjetor të këtij viti njoftoi Ministria e Financave. Si rrjedhojë, Autoriteti Kontraktues ka mobilizuar bashkitë subjekt të kontratës që të përfshihen në procesin e marrjes në dorëzim të të gjitha aseteve të krijuara në kuadër të këtij koncesioni, si dhe të impiantit të prodhimit të energjisë elektrike.
Ministria e Financave raportoi se, objekti i kësaj kontrate është projektimi, ndërtimi dhe vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja dhe transferimi në përfundim të afatit të kontratës i inceneratorit tek Bashkia e Elbasanit. Aktualisht projekti është në fazën e operimit.
Për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, treguesi kryesor për realizimin e nivelit të përmbushjes së shërbimit të ofruar është sasia e mbetjeve urbane të rikuperuara dhe të përdorura si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë.
Sasia e mbetjeve të rikuperuara në vit e parashikuar në kontratë është 43,200 tonë/vit. Për vitin 2020 janë rikuperuar 35,777 tonë, apo 18.3% më pak se sasia e parashikuar në kontratë, për shkak se jo të gjitha Bashkitë e Qarkut të Elbasanit (Peqin, Përrenjas, Gramsh dhe Belsh) i dërgojnë mbetjet në impiantin e ndërtuar, raportoi Ministria e Financave.
Në impiant i dërgojnë mbetjet për trajtim vetëm bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Cërrik, ndërsa bashkitë Peqin, Përrenjas, Gramsh dhe Belsh, për arsye të kostos së lartë të transportit, nuk kanë filluar ende dërgimin e mbetjeve, thuhet në analizën e qeverisë për veprimtarinë e koncesioneve më 2020.
Pёr realizimin e kësaj kontrate nevojitet përcaktimi i çmimit të shitjes së energjisë së prodhuar, ku për vitin 2020 është prodhuar 2,763,300 KW. Pagesat faktike të vitit 2020 janë në masën rreth 582,7 milionë lekë, duke rezultuar me një realizim prej 99.3% nga plani vjetor.
Sipas raportimeve, Autoriteti Kontraktues ka mbajtur riskun e qeverisjes, riskun politik dhe riskun e ndryshimeve ligjore, ndërsa partneri privat ka mbajtur riskun e ndërtimit, riskun e vendndodhjes dhe riskun e operimit (menaxhimi i impiantit, menaxhimi i mbetjeve).
Sipas aneksit “A” të kontratës të nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe koncesionarit, data efektive e koncesionit përfundon në ditën e përvjetorit të shtatë të datës efektive.
Kontrata parashikon se afatet e koncesionit zgjatën në rast se autoriteti kontraktues nuk bën pagesat në afat ndaj kompanisë koncesionare. Periudha e koncesionit zgjatet në këtë rast për aq koha sa përfundojnë pagesat nga Autoriteti Kontraktor.
Gjithashtu palët bien dakord se periudha e koncesionit zgjatet në rastet e forcës madhore për një periudhë kohë të barabartë sa ka zgjatur ngjarja, plus kohën e arsyeshme që duhet për riparimin e dëmeve me kushtet që vetë ngjarja madhore të ketë zgjatur një muaj.
/Burimi: Ministria e Financave/