Ai është një figurë politike që tashmë ka hyrë në historinë e Shqipërisë, por pas vendimit të DASH-it për ta shpallur “Non Grata”, duket se “asetet” dhe “aksionet” e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha, janë dobësuar.
Kjo gjë duket se po ndodh edhe në vendlindjen e tij, Tropojë, ku bashkia e Bajram Currit, duket se ka marrë një vendim të çuditshëm për personin që shumë njerëz aty e konsideronin si krenaria e qytetit.
Prej 6 vitesh një poster i madh i Sali Berishës qëndronte në një faqe muri në Pallatin e Kulturës në Bajram Curri, ndërsa mëngjesin e kësaj të enjtes është hequr nga punonjësit e bashkisë së qytetit.
Sipas burimeve nga Bashkia, kjo foto është hequr pasi nuk ka pasur një vendim më parë për vendosjen e saj.
Sipas qytetarëve, kjo foto ishte vendosur për dashamirësi për shkak të bindjeve politike të djathta që shumica e qytetarëve kanë në Tropojë.
Por heqja e fotografisë së Sali Berishës nga Pallati i Kulturës, vjen në një kohë kur Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur atë “non grata”, në një kohë që edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e ka përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat.
/Priza.al/