Afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit që skadojnë para datës 25 prill, është zgjatur deri më 30 prill të këtij viti. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë. Kërkesa për zgjatjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit, u parashtrua fillimisht nga Partia Demokratike, me qëllim përfshirjen e atyre që u ka skaduar ID në procesin e votimit. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga kreu i shtetit, Ilri Meta, ndërsa mori aprovimin edhe nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
Ditë më parë, presidenti Meta iu drejtua me një shkresë kreut të Kuvendit, kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, të kartave të identitetit dhe pasaportave.
Sipas Metës, shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për një periudhë deri në 30 prill 2021, është një zgjidhje e pranueshme, një masë proporcionale dhe e domosdoshme në rrethanat aktuale, që duhet të vlerësohet e ndërmerret pa vonesë, në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote.
Vendimi
PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
Vendosi
Neni 1
Neni 9/2, i ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare
Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021”.