Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pritur në një takim shefin e Krimit Financiar në Europol, z. Borja Pastor dhe shefin e Zyrës së Projektit të Analizës së Korrupsionit në Europol, z. Sergio D’Orsi.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e EUROPOL-it ishin të shoqëruar nga Oficeri Ndërlidhës i EUROPOL-it në Shqipëri, z. Alen Perusic.
Në fokus të këtij takimi ishin prezantimi i Qendrës së re të Krimit Ekonomik dhe Financiar të EUROPOL-it dhe forcimi i bashkëpunimit me Policinë e Shtetit, për trajtimin e çështjeve të lidhura më krimet financiare, pastrimin e parave dhe korrupsionin.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, falënderoi z. Pastor, për bashkëpunimin e deritanishëm me EUROPOL-in dhe suportin e dhënë Policisë së Shtetit, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me vendet partnere si një faktor kyç për arritjen e rezultateve të dëshiruara në luftën e përbashkët kundër krimit të çdo natyre.
Nano shprehu gatishmërinë e tij për ta konsoliduar më tej bashkëpunimin me EUROPOL-in, duke shmangur çdo barrierë. Gjithashtu, Nano vlerësoi rolin e rëndësishëm të Oficerit të Kontaktit të EUROPOL-it në vendin tonë, i cili ka ndikuar në përmirësimin e këtij bashkëpunimi.
Përfaqësuesit e EUROPOL-it kanë theksuar se për Policinë e Shtetit do të ofrohet mbështetje analitike dhe operacionale, për rritjen e shkëmbimit të informacionit dhe forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Më pas, delegacioni i lartë i EUROPOL-it është pritur në takim edhe nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit Tonin Vocaj.
Qendra Evropiane e Krimit Financiar dhe Ekonomik (EFECC) është rezultat i Strategjisë së Europol 2020+, siç kërkohet nga shtetet anëtare të BE-së, agjencitë dhe institucionet e BE -së, si dhe palët kryesore të interesit privat.
Si një pjesë integrale e Drejtorisë së Operacioneve të EUROPOL, Qendra Evropiane e Krimit Financiar dhe Ekonomik EFECC siguron mbështetje të drejtpërdrejtë, vertikale për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë strategjikë dhe operacionalë, duke punuar ngushtë me qendrat e tjera operacionale në EUROPOL.
/Priza.al/