“Fondi Besa” institucioni i mikrofinancave që duhet të ishte korrekt si një bankë, prej vitesh ka kryer abuzime në përmasa të mëdha me klientët e tij. Këtu nuk e kemi fjalën për klientët që janë mashtruar nga sekserët e Fondit dhe kanë përfunduar me kredi konsumatorë pa qenë në dijeni.
Një tjetër formë e përvetësimit të fitimeve, pastrimit të parave, apo më mirë një vjedhje e pastër në mirëbesim, “Fondi Besa” e kryente edhe me klientët e rregullt që paraqiteshin vetë dhe aplikonin për një kredi.
“Priza.al” në vijim të një dëshmie të re nga një çift juristësh nga Tirana, sjell sot një tjetër pjesë mjaftë interesante të asaj që duhet të ishte një aplikim normal për një kredi investimi, por që përfundoi në një grabitje prone dhe parash nga ana e punonjësve të “Fondit Besa”.
Është pikërisht dëshmia e çiftit të juristëve Fatjona Male dhe Edmond Kasmi, ku ky i fundit e mësoi rastësisht se po grabitej nga “Fondi Besa”, vetëm në momentin kur pasi kishte nisur Magjistraturën i lindte detyrimi të bënte pranë KLGJ dhe ILDKPIK-së plotësimin e formularit për deklarimin e pasurisë.
(Magjistrati Edmond Kasmi)
Ishte pikërisht kjo procedurë që i tregoi magjistratit nga Tirana, se me gjithë se ai posedonte letrat për shlyerjen e detyrimeve të një kredie, në fakt asgjë nuk kishte ndodhur dhe se kredia figuronte e pambyllur në një kohë që shtoheshin përqindjet e interesit dhe komisionet.
Si e mësoi grabitjen nga “Fondi Besa” magjistrati Kasmi
I tronditur, por më tepër i habitur për guximin dhe kurajën se si një institucion mikrofinance si “Fondi Besa” vjedh hapur, madje duke pasur edhe dokumente, një klient me shkollim të lartë, për më tepër një jurist, Edmond Kasmi, i ka treguar “Priza.al” momentin kur u përball me këtë krim.
Ai e konsideron këtë si një “krim” ose vepër të rëndë penale, për shkak të shumës së madhe monetare, por edhe për mënyrën se si nga oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, por edhe nga noterja e njohur, Natasha Xhaçka, është vepruar me tjetërsimin e dokumentacionit dhe zhdukjen e parave të paguara nga shitja e një prone.
(Oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, dhe noterja Natasha Xhaçka)
Edmondi do ta mësonte këtë gjë pikërisht kur i nisi procedura nga KLGJ-ja për të bërë deklarimin e pasurisë dhe të të ardhurave, që sipas ligjit tashmë bëhet edhe nga magjistratët. Pikërisht në 3 nëntor 2020, magjistratit Edmond Kasmi, i vjen një procedurë nga KLGJ-ja e cila kishte vënë në dijeni edhe ILDKPIK-në, mbi një pronë që edhe pse ishte shitur me letra dhe me procedurë noteriale nga Kasmi, nuk figuronte si e tillë, e madje as kredia tek “Fondi Besa” nuk ishte shlyer. Përkundrazi, magjistrati Kasmi me gjithë paratë e paguara nëpërmjet noteres Xhaçka, për të shlyer “Fondin Besa”, nuk kishte mundur që ta mbyllte këtë praktikë me ta.
Dokumentet që i vijnë magjistratit Kasmi nga KLGJ-ja dhe ILDKPIK-ja (poshtë në foto), tregonin për të gjitha detajet mbi këtë operacion financiar të lënë në mes qëllimisht nga “Fondi Besa” edhe pse oficerja e kredisë kishte marrë paratë nga blerësja e pronës, Estela Kapo.
(Faksimile të shkresave të KLGJ-së drejtuar magjistratit Edmond Kasmi, mbi kredinë e pambyllur në “Fondin Besa”)
Kjo detyroi magjistratin Kasmi që të niste menjëherë mbledhjen e të dhënave, dokumenteve dhe të kërkonte sqarime fillimisht si tek noterja Xhaçka ashtu dhe pranë “Fondit Besa”.
Vjedhja e pronës dhe parave nga noterja tek “Fondi Besa”
Askush nuk e kishte njoftuar deri në vitin 2020 magjistratin Edmond Kasmi, se kredia e bashkëjetuese së tij, juristes Fatjona Male, marrë pranë “Fondit Besa” nuk ishte shlyer me gjithë 10 mijë euro këste të paguara fillimisht dhe 50 mijë euro të dhëna nga shitja e një zyre avokatie në rrugën “Mine Peza” (në foto) në Tiranë.
(Zyra e avokatisë së Edmond Kasmit, në rrugën “Mine Peza”, Tiranë, shitur nga “Fondi Besa”)
Madje edhe babai i juristes Fatjona Male, Zenel Male, kishte ofruar nga kursimet e tij edhe 20 mijë euro të tjera, vetëm e vetëm që kredia e vajzës së tij dhe bashkëjetuesit të saj të përmbyllej.
Por “Fondi Besa” me oficeren e kredisë, Flutura Çuka, blerësen e rreme Estela Kapo dhe noteren e njohur në Tiranë, Natasha Xhaçka, sapo kishin nisur lojën edhe më këtë klient si me shumë të tjerë.
Ata nuk i kishin vënë në dijeni për allishverishet e sapofilluara me kredinë e tyre, me komisionet dhe kamat-vonesat që vazhdonin, apo dhe me letrat e pambyllura apo tjetërsuara. Por “Fondi Besa” këtë herë kishte shkelur në “dërrasë të kalbur”.
Kishte përball një magjistrat të ri që sapo ishte vënë në dijeni kishte nisur me mbledhjen e provave dhe fakteve, kishte përball një çift juristësh, si dhe dy institucione të rëndësishme si KLGJ-ja dhe ILDKPIK-ja që ishin vënë në dijeni për këtë kredi, për pronën e shitur dhe për kontratën e pambyllur.
Pikërisht këtu ka nisur dhe historia e vërtetë që ne po vijojmë të zbardhim, ku me gjithë përpjekjet e “Fondit Besa” për ta fshehur dhe mbuluar deri tek prokurorë të blerë këtë histori, me qëllim vënien e klientëve me “shpatulla për muri”, janë këta të fundit që duket se po i bëjnë “gropën” Fondit.
Nesër do të vijojmë të zbardhim paditë e një pas njëshme që vet magjistrati Kasmi ka bërë për të gjithë mashtruesit me “Fondin Besa” në krye, emrat e prokurorëve që duan të mbyllin çështjen, dhe indiferencën e Bankës së Shqipërisë përballë kësaj skeme të re piramidale në Shqipëri.
Vijon…./Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016