Është bërë i mundur identifikimi i viktimës së gjetur ditën e sotme në Peqin buzë lumit Shkumbin. Bëhet fjalë për Elton Simaku (Mermali), 38 vjeç, i cili ka qenë anëtar i bandës së Lushnjes.
Personi i vrarë ditën e sotme, deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali. Mermali ka qenë anëtar i Bandës së Lushnjes që drejtohej nga Aldo Bare.
Ky shtetas është ekstraduar nga Italia, në vitin 2006, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28 gusht 2003 i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Vrasja’, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.
Kush ishin anëtarët e bandës?
Banda e Lushnjës është ndër të parat që kishte një organizim të mirëstrukturuar në formë piramide. Aldo Bare ishte udhëheqësi me autoritet absolut. Fjala e tij nuk diskutohej, por thjesht zbatohej.
Ai thirrej ‘Kryetari’, ‘I madhi’, ‘Plaku’ dhe ‘Profesori’. Pranë tij, si njerëz që shpërndanin dhe zbatonin detyrat e ‘profesorit’ ishin Enver Dondollaku, Erjon Cici, Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Edjan Xhafa, Maksim Çela dhe Leonard Prifti që ishte vrasësi më i besuar i Aldo Bares.
Referuar dosjes hetimore, anëtarë të tjerë pjesë e bërthamës kryesore që operonte në Lushnje ishin edhe Afrim Hoxha, Enver Boriçi, Dritan Vila, Petrit Liçi, Erion Kashari, Elton Mermali, Arjan Aliço, Alxhi Nallbani etj.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për verifikimin e identitetit të shtetasit të vrarë me armë zjarri, i cili është gjetur në afërsi të lumit Shkumbin, në lagjen Çezmë, Peqin, pas verifikimeve të kryera, rezultoi se ishte shtetasi Alban Semaku, 38 vjeç, banues në Lushnjë, i cili deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali.
Në vitin 2006, ky shtetas është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Vrasja’, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.
Më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen ‘Gafurr Muço’, Lushnjë, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit Alban Semaku, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e tipit ‘Zastava’, një krehër pistolete me 6 fishekë dhe dy doza heroinë.
Me vendimin e datës 16.11.2015 të Gjykatës së Rrethit Lushnjë është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’, ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake’ dhe ‘Kanosja’ dhe është liruar nga burgu 06.05.2021, pasi ka vuajtur dënimin në I.E.V.P Peqin.
/Priza.al/