Në Shqipëri është marrë tashmë vendimi për heqjen nga qarkullimi dhe mos lejimin e përdorimit të të gjitha medikamenteve qetësues të markës “OKI”, kjo për shkak të moszbatimit të rregullit nga farmacitë për tregtimin e këtij preparati vetëm me recetë mjekësore.
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore kohët e fundit ka ushtruar kontrolle të shpeshta nëpër farmaci, pikërisht për kontrollin e zbatimit të këtyre rregullave dhe në mjaftë raste kemi mësuar se janë konstatuar parregullsi dhe shkelje nga ana e farmacive të ndryshme.
Nga ana tjetër AKBPM-ja duke parë edhe mosinformimin e publikut në lidhje me efektet e shumta anësore nga përdorimi i OKI-t, përveç kontrolleve ka bërë në këto kohë edhe këshillimin e farmacive, me qëllim mostregtimin e preparateve “OKI” të pa shoqëruara me recetë mjekësore.
Sipas AKBPM-së, përdorimi i OKI-t, sjell pasoja të shumta për konsumatorin pacient që e përdor, ndaj duhet që më parë ai të shkojë të këshillohet me mjekun në lidhje me shëndetin e tij, dhe vetëm pas marrjes së një recete të mund të blejë këtë preparat.
Kjo për faktin e thjeshtë se këto preparate më tepër se sa qetësues dhimbjesh, janë dëmtues të organizmit në shumë drejtime (sipas mjekëve), si dhe kanë pasoja afatgjata në shëndet.
Situata me OKI-n në BE
Në vendet e BE-së, ky medikament është tërhequr nga tregu shumë më parë, edhe pse prodhuesit dhe tregtuesit e tij, edhe aty kanë pretenduar se preparati që ata tregtojnë është “luftuar” prej konkurrentëve.
Gjithsesi, medikamentet “OKI” në shumë vende të Europës nuk shiten më në farmaci dhe as nuk rekomandohen që të përdoren nga mjekët, në një kohë që për marrjen e këtij medikamenti (gjithmonë nëse ekziston) duhet pa tjetër një recetë e lëshuar nga një mjek specialist.
Edhe Kosova që prej një viti e ka ndaluar përdorimin e OKI-t dhe agjencia që përgjigjet për kontrollin e barnave në atë shtet, publikoi edhe një mori faktesh dhe problemesh që sillte për shëndetin e konsumatorëve përdorimi i OKI-t.
E vetmja që bënë si gjithmonë një përjashtim, është Shqipëria, ku çdo preparat i ndaluar apo me vendim i hequr nga qarkullimi, gjithsesi mund të gjendet, mund të sigurohet lehtë, apo edhe mund të blihet nëpër farmaci pa asnjë lloj recete.
Askush nuk e ka ndaluar realisht përdorimin e tij, madje nga distributori farmaceutik në Tiranë, farmacitë në të gjithë vendin furnizohen rregullisht me të gjitha versionet e preparatit OKI.
Faktet
Prej disa ditësh “Priza.al” po publikon një mori me fakte dhe provash se si medikamenti “OKI”, edhe pse është i ndaluar që të përdoret nga konsumatori shqiptar, pasi në bazë të një vendimi të lëshuar nga Agjencia e Barnave, ai duhet të ishte hequr totalisht nga qarkullimi, përsëri kudo gjen dhe mund të blesh lehtësisht një OKI.
Çdo farmaci në kryeqytet e disponon preparatin “OKI” duke filluar që nga qetësuesit e fortë e deri tek ai më “praktiku” që është “OKI Task”, një preparat i fundit me granula që merren direkt nga goja dhe pihet pa ujë për qetësimin e dhimbjeve të ndryshme.
Këto preparate i gjen në çdo farmaci dhe mund t’i blesh më lirë se shumë të tjera, madje farmacistët e shesin atë pa asnjë lloj recete apo rekomandimi nga mjeku.
Në ditët në vijim “Priza.al” do të sjell me fakte dhe prova audio dhe video se si nëpër farmacitë e Tiranës, kush kërkon mund të blejë lehtësisht një OKI.
Ndërkohë Shqipëria mund të jetë tashmë i vetmi vend në Ballkan dhe mbase edhe në Europë, ku OKI vijon të tregtohet lirshëm nëpër farmaci. Autoritet shtetërore duket se kanë bërë paktin e radhës me kompaninë farmaceutike dhe nuk ndërmarrin asnjë kontroll për heqjen e preparateve OKI nga qarkullimi.
Mafia farmaceutike shantazhon
Në Tiranë jo vetëm që gjen OKI të të gjitha tipave në çdo farmaci, por ka edhe një distributor farmaceutik me zyra në qendër të kryeqytetit që bën shpërndarjen e këtyre preparateve me shumicë, duke furnizuar rregullisht farmacitë e gjithë vendit.
“Dompé Albania sh.p.k” është distributori zyrtar i shpërndarjes dhe tregtimit me shumicë të preparatit “OKI”, kompani e cila nuk ka guximin që të paraqesë një sqarim për mediat apo një përgënjeshtrim (në rastin më të keq), por gjen kohën dhe mënyrën për të shantazhuar mediat që marrin guximin dhe ngrenë një problem të tillë në bazë të fakteve të publikuara edhe në mediat europiane për këtë preparat.
Me anë të një emaili dërguar në adresën zyrtare të “Priza.al”, përfaqësuesi i kompanisë “Dompé Albania sh.p.k” ka kërkuar nga media jonë që në asnjë mënyrë të mos bëjmë transparencë për këtë fakt, por të heqim nga publikimi në faqen tonë të gjithë shkrimet që kemi publikuar deri tani për preparatet “OKI”.
(Foto: Koka e emailit dërguar “Priza.al” nga “Dompé Albania sh.p.k”)
“Tërhiqini nga publikimi shkrimet që keni bërë…” ishte urdhëri që na erdhi zyrtarisht nga kompania “Dompé Albania sh.p.k” dhe përfaqësuesi i saj Roland Xhafaj, të cilët nuk kërkonin në asnjë moment transparencë për publikun, por vetëm moscenim të interesave të kompanisë së tyre që vazhdon aktivitetin edhe pse këto preparate duhet të mos ekzistonin në treg që prej 1 viti.
(Foto: Përfaqësuesi i kompanisë “Dompé Albania sh.p.k”, Rolan Xhafaj)
Ne të “Priza.al” e kemi të qartë se mafia farmaceutike është shumë e fortë në Shqipëri dhe ashtu si ajo spitalore, mban në zotërim monopole të forta dhe ka mundësira të ndryshme t’u mbyllë gojën mediave.
Por ne kemi vendosur që jo vetëm për kompaninë që tregton OKI-n, por edhe për simotrat e saj që shqetësohen se përse media jonë po shkruan për këto fakte, i sigurojmë se do të vijojmë të shkruajmë edhe më shumë edhe më fortë.
Jo vetëm për këto preparate, por për të gjitha medikamentet që tregtohen në Shqipëri pa ju ditur përbërja dhe efekti, ne do të shkruajmë dhe do të sjellim prova dhe fakte sa herë që ato vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e konsumatorit, por edhe xhepin e tij.
Vijon…
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016