Ndërron jetë nëna e Fatos Lubonjës/ Historianja të cilën regjimi komunist e shëndrroi në pastruese

Veprimtarja Liri Lubonja, e ëma e analistit fatos Lubonja, ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 95-vjeçare. Lubonja ishte një historiane dhe gazetare në Shqipërinë komuniste. Ajo ishte e martuar me Todi Lubonjën, i cili, në vitin 1973, u shkarkua nga posti i drejtorit të televizionit dhe u dënua me 15 vite burg.

Duke qenë që nuk pranoi ndarjen me Todin, ajo si gjithë familja, vuajti persekutimet e regjimit. Në vitin 1973, përjashtohet nga partia, ku ishte pranuar që në vitin 1944 dhe internohet familjarisht në Lezhë, pasi iu komunikua shpërngulja në mars të atij viti. Nga Instituti i Historisë ku punonte para 1973, nis punë në një magazinë bujqësore në Lezhë në tetor të 1973.

Todi Lubonja dhe Liri Lubonja
Todi Lubonja dhe Liri Lubonja

Në korrik të vitit 1974, arrestohet i biri, Fatos Lubonja dhe pas dy ditësh, bashkëshorti, Todi. Liria dhe djali tjetër, Agimi, detyrohen të lirojnë banesën në Lezhë. Atë e caktojnë pastruese WC-sh në shtëpinë e beqarëve.

Në vitin 1982, i dëbojnë në Fishtë. Internimi përfundon në vitin 1989. Në vitin 1987 ishte liruar nga burgu, Todi Lubonja. Ajo është krijuesja e disa veprave letrare, si “Larg dhe mes njerëzve”, “Kujtime internimi 1973-1990“ dhe “Kohët e reja, kujtimet e vjetra“.

Liri Lubonja është një dëshmitare e historisë së Shqipërisë, qysh në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për të vijuar me periudhën e gjatë nën diktaturë, kur familja Lubonja do të njihte dy anët e medaljes, edhe jetën në ish-Bllokun e udhëheqjes, por edhe burgun e internimin, për të arritur deri në ditën tona, në përjetimin e tranzicionit të gjatë.

Ajo çka ndodhte në shoqërinë shqiptare rrëfehet përmes historisë së familjes Lubonja. Dhe ky proces rrëfimi ka nisur nga një nevojë e brendshme për të treguar peripecitë e njerëzve edhe pas diktaturës, që, të vuajtur nën të, nuk arritën të shijonin dot dy ditë të paqta.

“Pas vdekjes së Todit vendosa të shkruaj historinë e vështirësive që kisha kaluar për të siguruar një shtëpi ku të fusnim kokën”.. Duke hedhur shënimet vura re se kujtimet e kohës së shkuar më vizitonin shpesh dhe ishin edhe më të gjalla se ato të kohëve të vona. Prandaj, krahas historisë së kërkimit të një shtëpie, në këtë libër janë thurur edhe kujtime të tjera… Kështu pra, ia fillova me zell kësaj pune, madje shkova shumë më tej. Sot që kam në duar një dorëshkrim më voluminoz se libri i parë, të cilin mendoj ta botoj, më mundon mëdyshja: “Mos më është ngjitur sëmundja e autobiografive të shumta që kanë vërshuar në treg këto vite?”, shkruan Lubonja nëautobiografinë “Kohët e reja, kujtimet e vjetra“.

Kujtimet e saj personale, që lidhen me fëmijërinë dhe rininë, familjen, vëllezërit, shkollimin, luftën, pa dyshim me bashkëshortin e saj Todi Lubonja e të birin Fatos, me fatin e të cilëve ajo ishte e lidhur pazgjidhshmërisht, ndërthuren me kujtime dhe eksperienca nga njohjet e saj me njerëz të rëndësishëm të historisë shqiptare. Disa syresh do ta pësonin prej bashkëluftëtarëve të vet. Ajo kujton Liri Gegën, Liri Belishovën, Ramize Gjebrenë, gra me pushtet gjatë LANÇ dhe që patën një fund tragjik. Ajo tregon për njohjen edhe me njerëz që do t’i kishin në duar fatet e Shqipërisë, si Nexhmije Xhuglini Hoxha apo Ramiz Alia. Metamorfozat që pësuan ata me marrjen e pushtetit.

Në faqet e librit ajo do të rrëfejë edhe për miqësinë e çiftit Lubonja me atë Kadare, si ndryshoi ajo në vite, me ndërrimin e sistemeve. Prej librit me kujtime të Liri Lubonjës kemi shkëputur momentin e njohjes me Nexhmije Hoxhën dhe historinë tronditëse të Ramize Gjebresë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *