Kryetari i LVV-së, si edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli në një konferencë për media lidhur me zgjedhjet lokale të mbajtura ditën e djeshme, ku i cilësoi ato zgjedhje të lira dhe demokratike.
Edhe pse nuk arriti të siguronte asnjë komunë në zgjedhjet lokale të së dielës, kryeministri Albin Kurti tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, tashmë është edhe subjekti më i madh në vend në nivel lokal.
“Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk krahasohen me ato të 17 tetorit. Vetëvendosja, si subjekti më i madh në vend, kuvend dhe në nivel lokal, ka folur krahasimisht më shumë për çështjet nacionale, sesa lokale. Tani për 4 javë do të sqarohemi edhe ne vetë për çështjet lokale”, tha Kurti në një konferencë për mediat.
Kurti tha se janë të kënaqur që kanë shkuar në balotazh në shumicën e komunave.
“Si kryetar i LVV jam i kënaqur të shoh kaq shumë kandidat tonë në balotazh. Është një shans që të vazhdojmë të flasim dhe të diskutojmë me qytetarët se si ti mbrojmë dhe avancojmë të arriturat në këtë gjysmë viti të qeverisjes. Ndryshimi real është shumë më shumë se fjalë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se synojnë të fitojnë kudo që janë në balotazh. Ai ka shtuar se si kryeministër është krenar që kishim miq nga BE-ja që vëzhguan demokracinë tonë që mund të shërbejë si shembull për vendet e rajonit Ai shtoi se ndryshimi i bërë realitet në rrafshin qytetar nuk është për premtime të mëdha për probleme të vjetra.
“Jam i etur të punoj e bashkëpunoj me secilën komunë që vlerat tona të arrijnë në cdo lagje e secilën shtëpi. Do të punoj me secilin kryetar komune… Urime të gjithë kandidatëve, kjo është festë e madhe e demokracisë si zgjedhje dhe e politikës si shërbim. Kandidatët e LVV-së do të jenë të angazhuar për secilën votë”, tha Kurti.
I pyetur nëse do të rikthente në detyrë si ministër të Shëndetësisë, Arben Vitinë, nëse nuk merrte drejtimin e Komunës së Prishtinës, Kurti tha:
“Vitia është liruar nga detyra e ministrit. Është në garë për Prishtinën, në balotazh, Por besoj që më 15 nëntor do ta marrë detyrën, si kryebashkiak i Prishtinës”.
Vetëvendosje nuk arriti të siguronte asnjë komunë në raundin e parë, por do të garojë për 12 të tilla në balotazh. Sipas rezultatit fillestar, vetëm 17 komuna kanë një fitues, ndërsa drejtuesit e 21 të tjerave do të përcaktohen në raundin e dytë.
Lista Serbe është ajo që ka siguruar më shumë komuna, plot 9 të tilla nga 10 që janë më shumicë serbe. PDK fitoi në 4 komuna, në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj; ndërsa LDK dhe AAK në 2 të tilla; respektivisht Lipjan e Pejë dhe Deçan dhe Suharekë. Lista Serbe është në balotazh vetëm në një komunë, në Kllokot, me iniciativën qytetare SNS.
Analistët parashikojnë se partitë e tjera do të bëhen bashkë për të mundur Vetëvendosjen e Albin Kurtit në balotazh. Për Prishtinën beteja zhvillohet mes Arben Vitisë së Vetëvendosjes dhe Përparim Ramës nga LDK që doli i dyti në zgjedhje. Në Gjakovë, ish-kryetarja Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje do të garojë kundër kryetarit të deritanishëm, Ardian Gjinit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në komunën që kishte qeverisur për katër vjet, në Prizren, Mytaher Haskuka i LVV-së do të garojë në balotazh me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaqir Totaj. Vetëvendosje do të synojë fitore në balotazh edhe në Gjilan, me kandidatin Alban Hyseni, i cili do të përballet me kryetarin e deritanishëm, Lutfi Hazirin e LDK-së. Këto dy parti do të garojnë edhe në Fushë Kosovë dhe në Viti.
/Priza.al/