Krimi  i ‘98-ës që ndëshkoi ‘kinezin’, ushtarin e Aldo Bares/ Zbardhen detajet e ekzekutimit të Semakut, u rrëmbye dhe pas vrasjes trupi u hodh…

Të tjera detaje janw zbardhur sot nga vrasja e 38-vjeçarit Elton Semaku (Mermali), një ditë më parë në Peqin. 38-vjeçari u gjet i pajetë në bregun e lumit Shkumbin, në lagjen Shezë, në afërsi të tregut të qytetit të Peqinit, ndërsa sipas ekspertizës, ai është qëlluar me tre plumba të kalibrit 9 mm, dy në shpinë dhe një në kokë.

Ish-ushtari i bandës së Aldo Bares, dyshohet se është rrëmbyer, pasi kishte dalë nga shtëpia pak pas orë 19:00 të së shtunës në Lushnjë. Rrëmbimi dyshohet se është bërë nga të paktën tre persona, ende te pa identifikuar nga policia.

Ata dyshohet ta kenë ekzekutuar në një fshat të Lushnjës dhe më pas kufomën e kanë transportuar dhe hedhur në një zonë të pabanuar në periferi të Peqinit.

Deri më tani janë shoqëruar disa persona të dyshuar si të implikuar në vrasjen e 38-vjeçarit Semaku.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, ekzekutimi i 38-vjeçarit, i cili ka qenë pjesë e bandës së Lushnjës përcjell mesazh për ata që janë gjallë. Sipas gazetarit, autorët mund edhe ta kishin hedhur në lumë kufomën, por zgjodhën ta lënë në atë vend, pikërisht për të përçuar mesazhin, pasi Semaku ka qenë pjesë e një zinxhiri vrasjes që kanë ndodhur në Lushnjë.

“Rezulton se thjeshtë kufoma është hedhur në Peqin. Duket si një vend që autorët kanë vendosur ta hedhin kufomë. Ata kanë pasur mundësi edhe ta hedhin në rrugë. Është lënë aty edhe për shkak të mesazhit që duan të përçojnë.

Duke sjellë deri aty kanë pasur mundësi ta zhduknin fare. Autorët derisa e kanë sjellë deri aty mund ta kishin eliminuar fare dhe do të kishim të bënim me një person të zhdukur. Në Shqipëri ka shumë të zhdukur. Rasti më i fundit është ngjarja e Jan Prengës. Unë dyshoj shumë se ata e kanë lënë kufomën aty për të çuar një mesazh te të tjerët”,- u shpreh ai.

Artan Hoxha vlerëson se prej vitesh janë problematike ngjarjet zinxhir në Lushnjë pasi agjencitë në vend nuk po arrijnë që ta ndërpresin zinxhirin. Sipas tij, nëse autoritetet tona nuk do të synojnë për “trurin”, atëherë trupa të tjerë do të vijojnë të gjenden.

“Aty problematika nuk janë autorët por janë investitorët. Nuk kapen dot autorët sepse kanë informacione, mbështetje logjistike. Të rrish në kërkim ka kosto. Ata kanë mjete që i ndërrojnë vazhdimisht. Kush i mban? Dikush i fuqishëm financiarisht”.

Duke u bazuar në rrjedhën e ngjarjeve në këto pesë vite, Hoxha u shpreh se zinxhiri i vrasjeve do të vijojë, dhe se nga vrasja e Semakut janë më të trembur ata që janë gjallë.

“Për atë u la kufoma aty. Është mesazh për grupin shoqëror që ka viktima, largohuni pa u gjetur ne. Këto janë më tepër ngjarje që terrorizojnë”.

Alban Semaku, gjithashtu i njohur me emrin tjetër Elton Mermali, ishte vetëm 23 vjeç kur kreu vrasjen e tij të parë. Të paktën, atë për të cilën ka prova.

Ai, Enver Dondollaku, Erjon Cici, Maksim Çela, Dritan Vila dhe Petrit Liçi, të gjithë akuzohen për vrasjen e ndodhur në nëntor të vitit 1998, kur dhanë frymën e fundit Bledar Haxhia dhe Artan Sulçe.

Por përse ndodhi vrasja në hyrje të qytetit të Lushnjës? Cili ishte motivi?

Alfred Shkurti u bë i njohur, pasi Artur Daja i vrau vëllanë, Ramadan Shkurti. Pas kësaj ngjarjeje, Shkurti vendos të marrë hak dhe e vret hasmin e tij në fshatin Grabjan të Lushnjës.

Trupi i Dajës u shpërbë nga një shpërthim tritoli, ndërkohë që koka e tij shëtiti të gjithë Lushnjën dhe ndaloi në qendër të qytetit. Por personit që i ishte besuar detyra e rëndësishme, nuk iu fal gabimi. Bledar Haxhiu ishte instruktuar për ta sjellë të gjallë hasmin, por nuk ia doli.

Për këtë, Haxhiu e pagoi shtrenjtë. Ai nuk u fal, siç i ishte premtuar. Mëngjesin e 23 tetorit të vitit 1998, ai po udhëtonte me një automjet tip fuoristradë së bashku me Artan Sulçen nga qendra e qytetit drejt fabrikës së plastmasit.

Në një kryqëzim, e prisnin Petrit Liçi, Erjon Kashari dhe Elton Mermali, të cilët hapën zjarr me kallashnikov duke i lënë të vdekur të dy. Pranë afrohen me pistoleta Edjan Xhafaj dhe Dritan Vila, që u dhanë plumbin e sigurisë.

Pas eliminimit të Artur Dajës dhe njerëzve të tij, në Lushnjë ligji bëhej nga banda e Aldo Bares dhe askush më nuk i kundërvihej. Kjo është një nga ngjarjet kryesore për të cilat dyshohet se është ekzekutuar Semaku (Mermali), për të cilën hakmarrja duket se ende nuk është marrë.

Laert Haxhiu është një të afërmit e Bledarit të vrarë më shumë se dy dekada më parë. I riu, i cili është ende në kërkim nga Policia e Shtetit, ka pasur herë pas here përplasje me anëtarë dhe familjarë të Aldo Bares.

Madje është përfshirë në një shkëmbim zjarresh me nipin e Bares, Xhulio Shkurtin, por ky i fundit fatmirësisht ka shpëtuar. Megjithatë duket se “hesapet” e të shkuarës nuk janë mbyllur ende, madje dhe sot vazhdojnë dhe shkaktojnë viktima.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *