Kryeministri Edi Rama ka propozuar dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut” Arjan Salës, i riu i cili sakrifikoi për të shpëtuar 20 persona, e ndërsa vetë mbeti brenda duke luftuar mes flakëve që zgjatën për më shumë se 60 orë. Vendimi do të merret pasi që të dalë ekspertiza ligjore.
“Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i Atdheut” me porosi te Kryeministrit në gatishmëri për t’i dhënë titullin “Dëshmor i Atdheut” shtetasit heroik Arjan Sala. Presim përfundimin e shpejtë të ekspertizës ligjore dhe propozimin e Prefektit të Tiranës për të marrë vendim të menjëhershëm.
Humbja e jetës së Arjan Salës, përveçse na shkakton dhimbje të papërshkrueshme si për një bir e vëlla, nga ana tjetër dëshmon se Shqipëria që ka djem heronj si Arjani që sakrifikojnë jetën e tyre për të mbrojtur jetët e te tjerëve, do të behet! Janë gjallë bilbilenjtë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Arjan Sala u gjet i pajetë pas më shumë se 3 ditësh në magazinën në qendrën tregtare “Casa Italia” . Ai shpëtoi 20 punonjës të tjerë dhe vetë shkoi në vatër për ta shuar, por nuk ia doli që të dilte më i gjallë. Trupi i tij i pajetë u gjet në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.