7 persona janë arrestuar në 24 orët e fundit në Fier, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Policia ka arrestuar shtetasit: Florian Verlaci pasi shpërndante canabis në doza. Arsid Hametaj për mashtrim, Niti Paço për mbajtje pa leje të armëve të ftohta, Lirim Durdaj për dhunë në familje, Geraldo Selfo për mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe Elinor Troka dhe Arben Duraj për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Po ashtu nga Policia u shpall në kërkim pasi iu gjetë armë dhe municion luftarak shtetasi Marjan Hema.
Njoftimi i Policisë:
Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vihen në pranga 7 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Sekuestrohet armë dhe municion luftarak, shpallet në kërkim poseduesi i tyre.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, u godit një tjetër rast i shpërndarjes së kanabisit në doza.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi F. V., 31 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, pasi pasi gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, u ndalua shtetasi A. H., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka mashtruar shtetasen A. C., duke i premtuar se do e ndihmonte për të bërë gjyqin e divorcit me bashkëshortin e saj dhe i ka dhënë dy vendime të Gjykatës së Shkallës Parë Fier të dyshuara të falsifikuara.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin N. P., 43 vjeç, banues në Lushnjë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në automjetin të cilin ky shtetas drejtonte, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e armës së ftohtë një shufër metalike me hapje-mbyllje. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së 43-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua 1 gjerdan me 14 fishekë gjuetie, 4 thika me këllëf, 1 shpatë me këllëf, dhe 1 thikë flutur.
Po nga këto struktura u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit M. H., 44 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në stanin e tij në lagjen “Savër”, Lushnjë, u gjetën 1 armë zjarri automatik, 12 krëhëra pistolete dhe automatiku, 179 fishekë pistolete dhe automatiku, 2 silenciator dhe 1 tytë e montuar, 3 shula automatiku, 1 kallëp tritoli, 1 fitil zjarrpërcjellës, 1 granatë difensive, 2 radio dore marrëse dhënëse.
Gjithashtu, në këtë objekt janë gjetur dhe sekuestruar 42 thasë me fara luledielli, të cilat dyshohen se i ka vjedhur më datën 11.10.2021, në fshatin Gramsh, Lushnjë.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u arrestua në flagrancë shtetasi L. D., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lagjen “Konferenca e Pezës” ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëjetueses dhe vajzës së saj të mitur.
Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi G. S., 19 vjeç, banues në Fier, pasi në lagjen “Apollonia”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Volksëagen” shërbimet e Policisë kanë gjetur një shkop metalik me hapje(Madalen) në cilësinë e armës së ftohtë.
Theu masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, vihet në pranga 42-vjeçari.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. T., 42 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 13.07.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtim i mjetit në gjëndje të dehur”.
Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 31 vjeç, banues në Peshtan, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “BMW” në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.