Një sulm terrorist me bombë në një autobus ushtarak në Damaskun qendror ka shkaktuar vdekjen e të paktën 13 personave.
Mjeti ishte shënjestruar me dy eksplozivë ndërsa kalonte poshtë urës së Jisr al-Rais pak pas agimit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë pamje të kobshme të autobusit i cili është djegur dhe shkatërruar tërësisht nga shpërthimi.
Sulme të tilla në kryeqytet janë shumë të rralla, ndonëse Siria ndodhet në një luftë civile prej një dekade.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë shkatërrimin e plotë të autobusit ndërsa dëshmitarët flasin të tmerruar.
“Dëgjova një shpërthim të fuqishëm pranë meje. Në fillim nuk e kuptova nga erdhi zhurma por më pas pashë që një autobus me ushtarë kishte shpërthyer. U bë kohë që nuk kishim parë diçka kaq të rëndë. Uroj të jetë e fundit”,- tha një banor.
Shpërthimi me bombë i së mërkurës është më vdekjeprurësi në Damask që prej marsit të vitit 2017, kur të paktën 31 persona u vrarë në një sulm vetëvrasës. Grupi militant, Shteti Islamik (IS), mori atëherë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa dyshohet se dhe këtë herë, është pas kësaj ngjarjeje.
Siria është shkatërruar nga konflikti që ka shpërthyer pasi qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad i’u përgjigj me forcë protestave pro-demokracsë në mars të vitit 2011.
Sipas Kombeve të Bashkuara, konflikti ka lënë të paktën 350.000 të vdekur, dhe kanë nxitur gjysmën e popullsisë të largohet nga vendi.
/Priza.al/