Kryeministri francez Jean Castex vizitoi të hënën Vatikanin, ku u takua me Papa Françeskun, të cilit i bëri një dhuratë të veçantë.
Castex i dha Papës një fanellë të yllit argjentinas të futbollit, Lionel Messi, i cili tashmë luan për Paris Saint German.
Fanella ndodhej në një kornizë, e mbuluar me xham dhe mbante firmën e sportistit të famshëm. Castex ia dorëzoi atë atit të shenjtë në fund të një bisede kokë më kokë, që zgjati 35 minuta.
Gjithashtu, kryeministri i dha Papës edhe një dhuratë më tipike franceze, një botim të vitit 1836 të novelës klasike të Victor Hugo, “Notre Dame de Paris”, që tregon historinë e gungaçit Kuazimodo, në vitin 1482.
Papa Françesku, 84 vjeç, është takuar më parë me Messin, të cilin e vlerësoi si lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave.
Papa është prej kohësh tifoz i ekipit të futbollit San Lorenzo, të Buenos Airesit.
Pasi u takua me atin e shenjtë, Castex zhvilloi një vizitë në Kapelën Sistine dhe Bazilikën e Shën Pjetrit.
Castex ishte në Vatikan dhe Romë për përkujtimin e 100-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Francës dhe Selisë së Shenjtë.
/Burimi: Ansa/ Përshtati: Priza.al/