Gjyqtarja e Tiranës, Manjola Bejleri, është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Trupa gjyqësore e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin, vendosën sot shkarkimin e gjyqtares Bejleri.
Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesa burimesh financiare në vlera të konsiderueshme, për krijimin e pasurive si pasojë e pamundësisë për të provuar ligjshmërinë e disa burimeve të deklaruara.
Manjola Bejleri, e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Ajo ka qenë gjithashtu kryetare e shoqatës së gjyqtarëve.
Gjyqtarja Manjola Bejleri e Gjykatës së Tiranës, u përball të hënën më 18 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati afro katër orë dha shpjegime të detajuara për balancat negative dhe për dyshimet për fshehjen e një mjeti në emër të vëllait, të cilat i kundërshtoi.
Bejleri u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për një pjesë të 30 denoncimeve nga publiku, megjithëse prej Komisionit nuk u relatuan konstatimet e këtyre gjetjeve.
/Priza.al/