Vettingu në politikë/ Basha publikon videon: Pastrimi i politikës nga krimi e korrupsioni, interesi i të gjithë shqiptarëve

Kryedemokrati Lulzim Basha me anë të një postimi në Twitter ka deklaruar se vetting-u në politikë është një nga propozimet e partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, ky proces është i rëndësishëm për të larguar nga politika njerëzit e korruptuar dhe të përfshirë në botën e krimit.

“Është interesi i të gjithë shqiptarëve, i socialistëve dhe i demokratëve të thjeshtë, që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz që këto 30 vjet pavarësisht siglës politike që kanë mbajtur, nganjëherë e kanë ndërruar, nganjëherë kanë dalë me sigla të reja, kanë përdorur politikën për tu pasuruar paligjshmërisht dhe ç’është më e keqja, kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar.

Kanë shkatërruar konkurrencën në treg që është themeli i zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, duke fuqizuar një grusht njerëzish, vetëm e vetëm sepse ndajnë me ta favore, privilegje, pushtet dhe para, në kurriz të qindra-mijëra sipërmarrësve të ndershëm”, shprehet Basha, në një video të publikuar në rrjetin social “Twitter”.

Në një konferencë për mediat një ditë më parë, kreu demokrat u shpreh i gatshëm të shkojë vetë i pari për t’iu nënshtruar vetting-ut. Kështu, demokratët rikthejnë propozimin që Venecia iu rrëzoi në 2018 për vetting-un e Politikanëve. Këtë herë janë të bindur se kërkesa e tyre do marrë dritën jeshile pasi janë reflektuar vërejtjen e Komisionit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *