A do të shkrihet SHÇBA? Çuçi prezanton `superstrukturën`, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore

Shërbimi për Çështjet e Brendshme në Policinë e Shtetit do të shkrihet dhe do të zëvendësohet nga një strukturë me kompetenca shumë më të gjera e cila do të quhet Agjenci e Mbikëqyrjes Policore dhe do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Në dallim nga SHÇBA, drejtuesi i saj do të caktohet nga Kryeministri, ndërkohë që vetë Agjencia nuk do jetë më në varësi të policisë, por Ministrisë së Brendshme.

Ka qenë Ministri Bledi Çuci ai që ka paraqitur në Komisioni Parlamentar të Ligjeve draftin për krijimin dhe funksionet e Agjencisë. Në  objektiv të saj do të jetë parandalimi, zbulimi dhe hetimi i shkeljeve administrative dhe veprave penale në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri.

Ajo do të ketë rol në inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave. Ministri theksoi se një nga detyrat e reja do te edhe vetting-u dhe certifikatat e sigurisë. Sipas tij, projektligji do të shmangë konfliktet e interesit për të bërë karrierë.

“Aktualisht veprimtaria e pajisjes me certifikatë ndiqet nga policia dhe SHÇBA. Ndjekja në këtë mënyrë e këtij procesi ka ndikuar në krijimin e hapësirave abuzuese. Nga inspektimet e SHÇBA në polici janë identifikuar një sërë problemesh”, tha Çuçi.

Deputetët e opozitës në Komision kërkuar që të dëgjonin edhe opinionet e institucioneve të tjera të përfshira në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Sipas Çuçit, agjencia merr dhe dokumenton informacion për Policinë e Shtetit, Gardës së Republikës dhe Zjarrfikëses.

“Do jetë një Agjenci Inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të Agjencisë”, tha ai.

Enkelejd Alibeaj, deputeti i Partisë Demokratike kërkoi që të jetë prezent në takimin e radhës edhe Gledis Nano, kreu i Policisë së Shtetit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *