Ajo ka luajtur në mjaft filma por gjithmonë ka pasur role episodike ose karakteresh, por edhe pse shpesh të personazheve negative, përsëri shkëlqente me hijeshinë e saj.
Po flasim sot për aktoren e Teatrit të Durrësit, Filika Dimo, e cila është ndarë nga jeta por larg vendit të saj.
Lajmin e trishtë e ka njoftuar faqja zyrtare në rrjetet sociale e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Aktorja lindi në Tiranë në vitin 1939, dhe u shua në moshën 82-vjeçare, por në Belgjikë ku prej disa vitesh jetonte me familjen e saj. Ajo u bë e njohur për publikun me filmat: “Furtuna” viti 1959, “Koha nuk pret” viti 1984, “Dëshmorët e monumenteve” 1980, “Mëngjese të reja” 1980, “Flete te bardha” 1990, etj.
Filika ishte një interpretuese klasi, me finesë dhe elegancë, e cila është lënë në harresë edhe mbas viteve ‘90-të.
Ajo ishte bashkëshortja e skenografit të njohur të këtij institucioni, të ndjerit tashmë Zef Ujkaj (1936-1990), i cili në vitin 1975 u dënua nga sistemi i kohës dhe bashkë me të shoqen me këtë rast u përjashtuan nga teatri.
Ajo kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve. Mbas diplomimit punoi për një farë kohe në Teatrin Popullor, e më pas kaloi si aktore në organikën e stafit të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, vendi ku pati edhe veprimtarinë më të gjatë artistike.
/Priza.al/