Kjo fushatë ka shtuar edhe më tej tonet ndaj palëve kundërshtare. Nga një anë vijon vaksinimi, e nga pala tjetër është vënë re një neglizhencë në mbajtjen e maskës e distancimit në takimet që janë bërë. Duke marrë shkas nga takimi i kryedemokratit Basha me të rinjtë në Elbasan, Rama ka hedhur thumbat e radhës.
Rama citon një person që i ka dërguar foton e Bashës, se Rama dhe PS po bëjnë vaksinimin masiv ndërsa kundërshtarët e tyre po bëjnë infektim masiv.
“Mirë ma thotë dikush që ma çon këtë foto në whatsapp:
“Edi Rama dhe Partia Socialiste po bëjnë vaksinimin masiv, ndërsa Lulëzim Basha dhe Partia Demokratike po bëjnë infektimin masiv”
#Turp #Papërgjegjshmëri #Rrumpallë
me këta #ShqipëriaFitonInfektimin”, shkruan ai bashkëngjitur dy fotove të shpërndarë në Facebook.
Duke mos humbur kohë, një kundërpërgjigje e shpejtë ka ardhur nga PD-ja. Në një reagim për mediat, PD-ja e cilëson si rrumpallë fushatën e Ramës, ku sipas kësaj force, nuk ka asnjë arritje për të shpalosur.
“Turp është të lësh mijëra qytetarë pa çati mbi kokë për një vit e gjysmë. Papërgjegjshmëri është të mbash Shqipërinë në vendnumëro për 8 vite, ta largosh atë nga BE-ja dhe të mos u ofrosh asnjë të ardhme shqiptarëve.
Rrumpallë është fushata e Ramës, që nuk ka asnjë arritje për të shpalosur, ndaj flet gjithë ditën për kundërshtarët”.