Ashtu sikurse kishte deklaruar edhe Kryebashkiaku Erion Veliaj disa muaj më parë, që procedurat burokratike në lidhje me shpronësimin e Sarajeve kanë përfunduar sot lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministrja bëri me dije se qeveria shqiptare ka shpronësuar sot të gjithë bashkëpronarët për godinën në zonën e Toptanasve.
Margariti shtoi se kjo godinë do t’i nënshtrohet një restaurimi që do të ruajë vlerat e godinës dhe jo vetëm. Sipas ministres godina do të jetë në funksion të artit dhe kulturës si dhe do përfshijë një hapësirë për librin stil amerikan.
“Sot qeveria ka aprovuar shporënësimin e pronarëve në zonën e Toptanasve që do të kalojë në projektin e restaurimi të kësaj godine, kjo i vë fundin një episodi të gjatë, ku e dini që kaloi në një ngjarje tragjike ku i vunë flakën, sot qeveria mori vendimin që kjo sagë të përfundojë me shpronësim dhe hapësira do të jetë në funksion të artit dhe kulturës. Do përfshijë një hapësirë për librin stil amerikan”, tha Ministrja e kulturës, Elva Margariti.
E pyetur në lidhje me çështjen e Cirkut Kombëtar pasi tokës ku ndodhej çadra e artistëve i ka dalë pronari, ajo tha se po punohet për një plan afatshkurtër. Ajo shtoi se artistë janë akomoduar në palestrën e një shkolle afër cirkut.
“Artistët është parë në mënyrë konkrete në disa aspekte, janë vendime të gjykatës dhe përmbarimit që kishin hyrë në fazën e ekzekutimit final, po punojmë për një plan afatshkurtë, kemi akomoduar në palestrën e një shkolle afër cirkut, kemi nisu dialogimin me bashkinë për të gjetur hapësirën e përshtatshme për cirkun, edhe sindikatat e ka shprehur në mënyrë pozitive qëndrimin e Ministrisë së Kulturës”, tha ministrja.
/Priza.al/