Prokurorja shqiptare në SHBA, Buta Biberaj ka marrë kërcënime të shumta me vdekje pasi ndoqi penalisht dhe kërkoi burg për një person, i cili u arrestua pasi po protestonte para një shkolle për përdhunimin e vajzës së tij.
Prokurorja ka kërkuar ndihmë për sigurinë e saj pasi ka marrë dhjetëra telefonata kërcënuese. Sipas mediave të huaja ajo është protretizuar si prokurore emigrante e gjeneratës së parë. Biberaj ka thënë se ka marrë shumë ofendime nga njerëz të ndryshëm, të cilët gjithashtu e kanë kërcënuar se do ta vrasin.
“Kam marrë me dhjetëra kërcënime me vdekje të specifikuara drejt meje. Më së shumti janë kryer nëpërmjet telefonit. Kam marrë një telefonatë në numrin personal ku thuhej fraza “Po vijmë k**vë”. Kam marrë edhe një kërcënim në numrin e zyrës dhe flitej që do të më vrisnin. Kanë bërë deklarata të tilla që të mos shqetësohem për të parë nga mbrapa pasi do të vijnë nga para”, tha ajo.
Kjo ngjarje ka ndodhur si pasojë e arrestimit të babait të një viktime përdhunimi në një shkollë, i cili u vu në pranga gjatë takimit të bordit të institucionit. Por pas një përleshje zyra e sherifit e arrestoi dhe jo prokuroria.
Prokurorja shqiptare ka thënë se policët nuk ishin në dijeni që i arrestuari ishte babai i një viktime përdhunimi kur e arrestuan. Biberaj ka shtuar se zyra e saj nuk kishte për qëllim që të shënjestronte babain, por ka hapur procedimin penal pas referimeve të bëra nga Sherifi. Ajo ka shtuar se çështja e tij është në apel, ndërsa babai ka thënë se do të padisë Qarkun Loudoun.
/Priza.al/