Krisje me Bashën? Kryemadhi shuan heshtjen, reagon për herë të parë pse mungoi në mitingun e PD-së

Teksa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mungoi në mitingun e PD-së, menjëherë u ngritën aludimet nëse kishte një krisje mes dy forcave politike. Por një gjë të tillë e hedh poshtë në mënyrë kategorike Monika Kryemadhi, e cila ka dhënë edhe arsyet pse ajo nuk ishte e pranishme dhe pse u krijuan këto zëra. Kryemadhi, në një intervistë të dhënë për ABC, është shprehur se agjendat e tyre përsa i përket fushatës janë të ndara, ndërsa bashkëpunimi mbetet i njëjtë. Kryetarja e LSI-së ka shtuar më tej se nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale të PD-së, pasi ajo ishte thjesht diçka simbolike, për prezantimin e kandidatëve për deputet të kësaj force partie.

“Dua të theksoj që mitingu, sepse e pata dhe një debat me disa gazetarë të tjerë, ai ishte mitingu i prezantimit të kandidatëve të PD-së dhe të aleancës së tyre, ndërkohë që ka akoma dhe 29 ditë që na ndajnë. Do të vazhdojmë akoma secili në agjendat tona politike individuale, por ndërkohë që njerëzit në terren qoftë të LSI, PD apo AN janë në kontakt me njëri-tjetrin.

Unë mendoj që ajo ishte një aktivitet simbolik i PD-së, sepse gjëja kryesore që është sot është që fushata e opozitës ka nisur që në momentin që ne kemi djegur mandatet.

Nuk ka nisur në kohën që ne mund të jemi në aspektin po ta quajmë zyrtar, siç ka qenë më para. Djegia e mandatave të LSI-së dhe gjithë opozitës ka qenë sipari i hapjes së fushatës elektorale, të cilat kanë një datë tashmë, kanë 25 prillin që nuk është shumë larg, është 29 ditë”, ka thënë Kryemadhi.

Më herët, Partia Demokratike çeli fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në sheshin “Nënë Tereza” ishin të pranishëm edhe aleatët e Lulzim Bashës, ndërsa ra në sy mungesa e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë hyrë të ndarë në zgjedhjet e 25 prillit, por janë bashkë në koalicionin opozitar, dhe pritej që hapja e fushatës të bëhej bashkë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *