Sot mbushen 24 vite nga Tragjedia e Otrantos, ndodhur më 28 mars të vitit 1997, ku anija shqiptare “Katri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane. Anija shqiptare u përmbyt nga forcat detare italiane në Ngushticën e Otrantos, duke shkaktuar humbjen e jetës së 81 personave, të moshave nga 3 deri në 69 vjeç.
Emigrantët ishin bërë pjesë e emigrimit të madh nga Shqipëria, për shkak të kryengritjes e cila filloi pas kolapsit të skemave piramidave. Gjatë proçedurës së ndalimit, anija italiane Sibilla u përplas me Katerin e Radës, duke e mbytur atë e duke rezultuar në vdekjen e 81 personave në bord. Për vite e vite me radhë, familjarët e të ndjerëve nuk janë ndalur, ndërsa përsërisin apelin për drejtësi.
Krenar Xhavara është një ndër personat i cili pas largimit për një jetë më të mirë, humbi të shtrenjtit e tij. Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë, që gjendeshin në lokalet e brendshme të anijes dhe në pamundësi shpëtimi për shkak të mbytjes së menjëhershme. Eksodi i madh i emigrantëve shqiptarë drejt Italisë kishte kohë që kishte nisur, dhe në vitet e trazuara të 1997 largimet me anije ishin të shpeshta drejt vendit fqinj.
Për të shmangur hyrjen ilegale të emigrantëve, forcat detare italiane proceduan në mënyrë të menjëhershme për të bllokuar anijen, por gjatë ndërhyrjes anija italiane “Sibilla” u përplas me “Katrin e Radës” duke e mbytur atë. Për Krenarin jeta ka ndalur, e ndërsa kujton atë periudhë makthi… lotët nuk kanë të ndalur. Nga brigjet e Vlorës ai u nis së bashku me vajzën 6 muajshe, bashkëshorten, por tragjedia e detyroi ta përfundonte i vetëm udhëtimin. Teksa kthehet pas në kohë, ai e cilëson një ngjarje të tmerrshme, një masakër me njerëzit e mbytur në ujë që nuk e heq dot nga mendja. Nga familja e tij dhe e vëllait, mbijetuan vetëm dy kryefamiljarët. Bashkëshortet e tyre dhe katër fëmijët e vegjël u mbytën. Ai rrëfen se trupat e fëmijëve e grave u nxorën nga uji, por të tjerë nuk u gjetën kurrë, ndërsa mbijetuam vetëm 34 persona. Teksa shpirti i tij është i lënduar, ajo që e vret edhe më tepër është mungesa e drejtësisë. Ai dhe të tjerët ende nuk kanë gjetur drejtësi për viktimat e kësaj tragjedie. Tragjedia e Otrantos e 28 marsit 1997 pati një jehonë shumë të madhe ndërkombëtare, edhe për faktin e deklaratave kontradiktore në politikën italiane.
“U nisëm rreth orës tre pasdite nga Moli Zero i Portit të Vlorës. Sapo mbërritëm në ishullin e Sazanit na doli përpara anija ushtarake italiane Zeffiro, mjaft e madhe në krahasim me anijen tonë e na u vu në ndjekje për rreth një orë. Më pas u zhduk. Pas saj një tjetër anije e quajtur Sibila, emrin e së cilës e dalluam menjëherë nga larg sepse ishte akoma ditë, rreth orës 5 pasdite, na u vu ndjekje. Ishte anije ushtarake me ushtarë që qëndronin lart në bordin e saj. Më vonë morën vesh se ishin të batalionit San Marko. Sibila ishte një anije më e vogël se Zeffiro. Për rreth një orë e gjysëm na ka ndjekur pas e herë na vinte shumë afër e na krijonte dallgë të mëdha që na vinin në vështirësi e rrezik mbytje. Në orën 18:50 na vjen nga pas e na godet nga krahu verior e anija jonë përmbytet. Unë u gjenda rreth 150 metra larg në ujë nga goditja, të tjerë pak më afër.
Anija qëndroj rreth 8 minuta e batuar e anija italiane mund t’i kishte shpëtuar shqiptarë që po mbyteshin nën të. Në pjesën e poshtme e të mbuluar të anijes tonë qëndronin gra e fëmijë që nga goditja besoj se janë tmerruar. Unë me vëllanë tim ndodheshim në pjesën e sipërme të anijes pas kapitenerisë, ndërsa bashkëshortja ime me vajzën 6 muajshe si dhe nusja e vëllait me tre fëmijët e vegjël ndodheshin në kabinat dimërore të mbuluara se bënte ftohtë shumë. Qe një ngjarje e paimagjinueshme e tmerrshme. Nuk prisnim që kjo anije kaq e fortë në krahasim me tonën të na godiste, e ky shtet i madh si Italia të reagonte kështu ndaj nesh që ishim kaq të dëshpëruar për t’u larguar nga Shqipëria ku po zhvillohej një luftë civile e po kërkonim ndihmë. Atë masakër të asaj nate me njerëzit e mbytur në ujë nuk e heq dot kurrë nga mendja.
Nga familja ime mbijetuam vetëm unë e vëllai. Bashkëshortet tona e katër fëmijët e vegjël u mbytën. Pas gjysmë ore nga goditja, anija ushtarake italiane u rikthye e na rikuperoi nga uji. Na ndanë në dy grupe e na mbajtën mbi dy orë në det që të mos na filmonin gazetarët që prisnin në breg. Në Brindizi kemi mbërritur rreth orës 22: 00 të darkës. E kuptova se familja ime ishte e mbytur. Mendova se dhe vëllai im ishte mbytur, por me të u takova më vonë në Brindizi. Trupat e fëmijëve e grave të familjes time u nxorën nga uji, por të tjerë nuk u gjetën kurrë, mbijetuam vetëm 34 vetë.
Goditja e anijes luftarake italiane “Sibila” thotë se ishte e qëllimshme. “Pas 24 vitesh, ende nuk ka drejtësi për viktimat shqiptare të kësaj tragjedie. Me anë të avokatëve tanë, ngjarjen e kemi çuar në Gjykatën e Strazburgut e kemi kërkuar që shteti shqiptar të bëhet palë akuze bashkë me ne në këtë ngjarje, por nuk kemi pasur asnjë denoncim nga shteti shqiptar ndaj Italisë. Shteti shqiptar nuk ka marrë në mbrojtje qytetarët e saj. Ne nuk do e ndalim kërkesën tonë për drejtësi e do ta çojmë çështjen në institucionet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Apeli ynë është çdo vit që shteti shqiptar të na bashkohet e të na ndihmoj t’i japim drejtësi viktimave shqiptare të kësaj tragjedie”.
Kjo ngjarje historike është përkujtuar edhe nga ish zv.komandati i Forcave Detare, Artur Meçollari. Me anë të një statusi, ai tregon se anija u mbyt në thellësinë 823 m dhe mbas nxjerrjes së saj, trupat e 24 personave nuk mundën të gjendeshin. Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në lokalet e brendshme të anijes. Në 19 tetor 1997, pas një operacioni të vështirë 4-ditor, anija e specializuar “Performer”, nxorri nga 823 metra thellësi anijen “Kateri i Radës” (A-451). Brenda në anije u gjendën 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë. 23 vetë nga kjo tragjedi ende janë të humbur.
Statusi
28 mars 1997 – Tragjedia e Otrantos
Datë në historinë detare
Mbrëmjen e 28 marsit 1997 mjeti detar “Katri i Radës” (A-451), në inventar të Forcave të Mbrojtjes Shqiptare, ndërsa kishte në bord rreth 115 persona, të gjithë shqiptar, u godit nga korveta italiane “SIBILLA” (F-558) në Kanalin e Otrantos. Nga goditja fatale humbën jetën 81 qytetarë shqiptarë dhe vetëm 34 mundën të mbijetojnë. Anija u mbyt në thellësinë 823 m dhe mbas nxjerrjes së saj trupat e 24 personave nuk mundën të gjendeshin. Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në lokalet e brendshme të anijes dhe në pamundësi shpëtimi për shkak të mbytjes së menjëhershme të mjetit.
Në marsin e vitit 1997 Vlora, si edhe gjithë Shqipëria, ishin përfshirë në një anarki totale, ku shteti nuk funksiononte. Në datën 27 mars 1997 një grup trafikantësh kishin rrëmbyer nga Saranda mjetin “Katri i Radës” dhe e sollën atë në Vlorë. Kjo anije ishte pjesë e strukturës së Bazës Detare të Limionit, Sarandë, me numrër bordi A-451. Anija u bregëzua në molin “ZERO” të Portit të Vlorës dhe deri në mbasditen e datës 28 mars 1997 në të u imbarkuan rreth 115 vetë për lundrimin e tokës së premtuar, drejtë Italisë.
Eksodi shqiptar drejt Italisë kishte kohë që kishte filluar. Për të shkuar drejt Italisë u përdorën të gjitha mjetet detare të mundshme, anijet e peshkimit, tregtare, pa kursyer edhe anijet ushtarake. Për përballimin e kësaj situate, Italia kishte krijuar një bllokade detare, me qëllim pengimin e kalimit të anijeve shqiptare drejt Italisë. Në datën 28 mars 1997 fregata italiane “ZIFERO” (F 577) dhe korveta “SIBILLA” (F-588) patrullonin në Kanalin e Otrantos.
“Katri i Radës” u nis nga Porti i Vlorës me 115 vetë në mbasditen e datës 28 mars 1997 me destinacion Brindizin Italinë, duke lundruar nëpërmjet Kanalit Jugor të Gjirit të Vlorës. Kapiten i anijes “Katri i Radës” (A-451) ishte Namik Xhaferri. Sapo “Katri i Radës” (A-451) doli nga Kanali Jugor i Gjirit të Vlorës u identifikua nga fregata italiane “ZIFERO” (F 577). Kapiteni i fregatës “ZIFERO (F-577) i bëri disa thirrje “Katrit të Radës” për t’u kthyer mbrapa, por thirrjet ishin të pasuksesshme. Në kuvertën e “Katrit të Radës” dalloheshin rreth 30 vetë.
Në pamundësi të ndalimit të “Katrit të Radës, fregata “ZIFERO” (F-577) ia kaloi detyrën karvetës “SIBILLA” (F-588). Tashmë “Katri i Radës” kishte mbërritur në mes të Kanalit të Otrantos. Veprimet e komandantit të korvetës “SIBILLA” (F-588), kapiten i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, u bënë agresive. Në orën 16:30 ai bëri një manovër kërcënuese duke iu afruar “Katrit të Radës” më shumë se normat e lejuara. Afrimi ishte fatal dhe “Katëri i Radës” u përmbys dhe mbyt menjëherë. Korveta “SIBILLA” (F-588) kishte një tonazh prej 1300 ton, kurse “Katri i Radës” kishte një tonazh prej vetëm 40 ton.
Mbas mbytjes së “Katrit të Radës, ndihma e korvetës “SIBILLA”(F-588) nuk ishte e menjëhershme. Nga 115 veta që gjendeshin në bord, 34 vetë mundën të mbijetonin dhe u transferuan në Brindisi. Në 19 tetor 1997, pas një operacioni të vështirë 4-ditor, anija e specializuar “Performer”, nxorri nga 823 metra thellësi anijen “Kateri i Radës” (A-451). Brenda në anije u gjenën 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë. 23 vetë nga kjo tragjedi ende janë të humbur.
Tragjedia e Otrantos e 28 marsit 1997 pati një jehonë shumë të madhe ndërkombëtare, edhe për faktin e deklaratave kontradiktore në politikën italiane. Në 5 prill 1997, deputetja italiane Irene Pivetti, ish-kryetare e Dhomës së Deputetëve, deklaroi se për të përballuar mbërritjen e mijëra shqiptarëve, ata duheshin hedhur në det. Për këtë deklaratë, ajo kërkoi falje pas 14 vjetësh.
Marina Luftarake Italiane menjëherë, në datën 29 mars 1997, nisi një hetim të brendshëm, ku konkludoi se kontakti mes anijeve “Sibila” dhe “Katri i Radës”, ka qenë një nga shkaqet e mbytjes. Në 17 nëntor 1998 Prokuroria e Brindisit përfundoi hetimin për këtë tragjedi. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Brindisit vendosi që Namik Xhaferi, drejtuesi i anijeas “Katri i Radës” të dënohet me katër vjet heqje lirie, ndërsa kapiteni i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, komandant i korvetës “SIBILLA” (F-588) të dënohet me tre vjet heqje lirie. Në vitin 2011 dënimi i tyre u ulën respektivisht në tre dhe dy vjet.
Në 29 janar 2012 në qytetin e Otrantos u inagurua monumenti i emigracionit, i krijuar nga skulptori grek Kostas Varotsos, me mbistrukturën e anijes shqiptare“Katri i Radës (A-451) . Të pranishëm ishin dhe autoritetet e Marinës Luftarake Italiane. Dy pjesë të anijes “Katri i Radës”, u kthyen në Vlorë, ku artistët shqiptare Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, realizuan një vepër arti në një shesh të qytetit, pranë portit. Në vitin 1998 trupat e të mbyturve në Tragjedinë e Otrantos u sollën në Vlorë dhe u varrosën me një ceremoni shtetërore në Vorrezat e Qytetit të Vlorës.
Si anija “Katri i Radës” Flota Luftarake Shqiptare ka patur katër copë. Sot ka ngelur vetëm një, tepër e dëmtuar dhe në gjendje të mbytur në Raguza 2, Karaburun. Ndoshta nxjerrja e saj dhe krijimi i një monumenti të qytetin e Vlorës do të ishte një nderim i munguar për këtë tragjedi dhe 81 jetët njerëzore që humbën jetën.