Shqiptarët mbahen si populli më filoamerikan, por ja cilit shtet të Ballkanit SHBA-të i kanë hequr vizat…  

Nga 23 tetori, qytetarët kroatë mund të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara pa viza, njoftoi Ambasada amerikane në Zagreb.

“Erdhi edhe kjo ditë. Urime Kroaci për anëtarësimin zyrtar në Programin e Heqjes së Vizave”,- tha Ambasada e SHBA-së në Kroaci në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Ky vendim i Sistemi Elektronik për Autorizim të Udhëtimeve (ESTA) vlen për qytetarët kroatë që duan ta vizitojnë SHBA-në për turizëm ose biznes dhe mund të qëndrojnë atje jo më shumë se 90 ditë.

Anëtarësimi i Kroacisë në të ashtuquajturin Program për Heqjen e Vizave (VWP) është një hap i rëndësishëm për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e sigurisë midis dy shteteve, tha Ambasada amerikane në Zagreb.

“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që qytetarët kroatë tani e gëzojnë mundësinë e udhëtimit në SHBA pa viza. Ky ka qenë një proces i gjatë, por i rëndësishëm dhe ne mirëpresim përpjekjet e Qeverisë kroate për të përmbushur kriteret e ashpra të programit tonë”,- tha Mark Fleming, i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Zagreb.

Programi për Heqjen e vizave është një partneritet gjithëpërfshirës i sigurisë midis SHBA-së dhe shteteve pjesëmarrëse, që lejon udhëtimin në SHBA për qëllime turizmi apo biznesi deri në 90 ditë, duke mbrojtur sigurinë kombëtare amerikane.

Që një shtet të bëhet pjesë e këtij programi, i njëjti duhet të përmbushë kritere në fushën e kundërterrorizmit, atë të zbatimit të ligjit, të migracionit, sigurisë së dokumenteve dhe menaxhimit të kufijve, thuhet në deklaratë.

Ambasada po ashtu tha se kërkesë për t’u bërë pjesë e këtij programi është që aplikimet e refuzuara për viza duhet të jetë nën 3 për qind. Këtë kriter Kroacia e ka përmbushur së fundmi.

Autorizimet për udhëtime që qytetarët marrin nga ESTA zakonisht vlejnë për dy vjet. Udhëtarët me vizat e lëshuara B1/B2 tashmë mund t’i përdorin ato për të udhëtuar në SHBA.

Në përgjithësi, janë vetëm tri anëtare të Bashkimit Evropian, Rumania, Bullgaria dhe Qiproja, që SHBA-të ende nuk ua ka hequr vizat.

/Burimi: REL/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *