“Njerëzit i takoj çdo ditë”, kandidatja e LSI-së flet pa ‘dorashka’ për angazhimin në politikë

Kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës për LSI, Esmeralda Demiraj, ndonëse është e 18 në listën për Tiranën, është shprehur optimiste duke premtuar për një frymë të re të përfshirjes së gruas në politikë. Me një mision tanimë të ri që mban mbi ‘shpatulla’, ajo ka ndarë disa momente kulminante, të cilat pritet të shënjojnë karrierën e saj politike. Teksa ka qenë e ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri Tv, Esmeralda ka pohuar se angazhimi dhe misioni i saj është për të përfaqësuar gruan në politikë, e për ta kthyer atë në një faktor kyç.

Pavarësisht se është e 18 në listën e LSI-së për Tiranën, Esmeralda Demiraj thotë se ky fakt nuk e shqetëson. Kjo pasi ajo ka 12 vite ngazhim politik në LSI.

“Nuk më shqetëson ky fakt që jam e 18-ta në listë, sepse ky sistem është pak një sistem ndryshe. Ky sistem është një sistem që kanditatët që garojnë ju jep mundësi të kërkojnë vota personale.

Unë do kisha dashur një listë 100% të hapur, që secili prej nesh të provoj veten. Nuk kam problem me numërim dhe renditjen. Unë kam 12 vite angazhim politik në LSI”, tha më tej ajo.

E pyetur për takimin me elektoratin, ajo shtoi se pavarësisht faktit se garon nën siglën e LSI-së, në fund ajo përfaqëson vetveten, ku është vendosur integriteti personal e familjar.

“Të gjithë ne që kemi marrë pjesë në këto zgjedhje, përgjegjësinë e kemi shumë të madhe sepse vota është direkte. Sigurisht që unë vij me siglën e LSI-së, por përfaqësoj edhe Esmeralda Demirajn në këto zgjedhje. Është vendosur integriteti im personal, familjar, dhe të gjitha vitet e mia të investimit dhe shpresoj të dalim faqe bardhë.

Jam afër me qytetarët çdo ditë dhe jam në kontakt me ta. Duhet theksuar dhe cilësuar që njerëzit sot po shkojnë drejt individit dhe marrëdhëniet njerëzore janë mbi të gjitha. Unë ndoshta nuk jam një figurë e mirëfilltë politike, por jam një figurë populiste, sepse kam kontakte të mëdha, njerëz që i takoj çdo ditë”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *