Në piramidat e Gizës në Egjipt po mbahet ekspozita ndërkombëtare ‘Forever is Now’, e organizuar nga Fondacioni i Artit po në Egjipt. Themeluesja e këtij fondacioni, Ghaffar, është shprehur se ky është eventi i parë dhe më i madh i artit bashkëkohor përgjatë 4500 viteve në piramidat egjiptiane.
Kjo ekspozitë synon të pasqyrojë ndikimin e thellë dhe global të Egjiptit të lashtë si dhe bazohet në përfshirjen e praktikave kulturore bashkëkohore, të cilat praktikohen si nga artistë bashkëkohorë egjiptianë ashtu edhe ndërkombëtarë.
Ghaffar shtoi gjithashtu se kjo ekspozitë është një dialog mes artistit bashkëkohor dhe qytetërimit antik, sepse përfshin vepra të frymëzuara dhe të ndërthurura me qytetërimin e lashtë egjiptian.
Në ekspozitë marrin pjesë dhjetë nga artistët bashkëkohorë më të shquar dhe më të njohur në botë.
‘Është vërtetë privilegj të jesh pjesë e këtij organizimi unik. Vepra ime është domethënëse sepse flet për unitetin përmes formave universale gjeometrike, e gjithë kupola është pjesë e historisë egjiptiane, ndërsa dallohet përdorimi i arit dhe atij që e quajmë syri i tretë. Vepra krijon idenë e komunikimit me universin’, është shprehur skulptorja Gisela Colon.
Ekspozita e cila ka marrë vëmendjen e gjithë botës, do të qëndrojë e hapur deri më datën shtatë nëntor.
/Priza.al/