Ngjarjet e fundit kriminale në vend kanë shqetësuar jo vetëm qytetarët por edhe krerët e shtetit, të cilët kanë apeluar për marrje të menjëhershme masash.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar sot pas ngjarjeve të fundit në vend, vrasjes në Fier dhe grabitjes në Fushë Krujë.
Kreu i Shtetit deklaron se, dënon me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, të cilat sipas tij, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Ai i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese të marrin masa në mbrojtje të jetës së qytetarëve dhe lirit.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.
Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale”,- deklaron Presidenti Meta.
/Priza.al/